Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, së bashku me zëvendësministrin Avni Zogiani, kanë mbajtur sot një konferencë për media, ku prezantuan prioritetet kryesore për Transformimin e Mbrojtjes së Natyrës për periudhën 2026–2030.
Gjatë kësaj konference, Pacolli dhe Zogiani shpalosën nëntë shtylla themelore mbi të cilat bazohet programi qeveritar për mbrojtjen e mjedisit, duke e cilësuar këtë plan si një hap të rëndësishëm drejt forcimit të politikave mjedisore në vend.
Ministrja Pacolli theksoi se ky mandat synon ta vendosë mjedisin në qendër të vendimmarrjes shtetërore, duke e trajtuar atë si interes strategjik kombëtar. Ajo nënvizoi se lufta kundër degradimit të natyrës, mbrojtja e ujërave, ajrit dhe biodiversitetit, si dhe rikthimi i ekosistemeve në gjendjen e tyre natyrore, përbëjnë bazën e politikave të reja.
“Zero tolerancë ndaj shkatërrimit të natyrës dhe fillimi i një epoke ku ligji zbatohet pa përjashtim dhe qytetari bëhet pjesë aktive e mbrojtjes së pasurive natyrore”, deklaroi Pacolli.
Pas prezantimit, ministrja dhe zëvendësministri iu përgjigjën pyetjeve të gazetarëve, duke sqaruar më tej interesimin e mediave lidhur me zbatimin dhe ndikimin e këtyre politikave në terren.
/Motilokal.com
