Ministria e Kulturës dhe Turizmit ka njoftuar mbylljen e përkohshme të disa zonave në Kalanë e Prizrenit, për shkak të rrezikut potencial që paraqesin për vizitorët.
Sipas njoftimit zyrtar, vendimi është marrë pas vlerësimeve profesionale që kanë evidentuar gjendje të rënduar të disa strukturave brenda kalasë. Si rezultat, zonat që konsiderohen të rrezikshme do të shënohen dhe do të kufizohen për qasje deri në një njoftim tjetër.
Në të njëjtën kohë, është pezulluar menjëherë edhe dhënia në shfrytëzim e hapësirave të kalasë për organizata, iniciativa kulturore dhe artistë të pavarur, deri në stabilizimin e gjendjes dhe krijimin e kushteve të sigurta.
Autoritetet bëjnë të ditur se publiku do të informohet me kohë për çdo zhvillim të ri dhe për afatet e mundshme të rihapjes.
Ministria ka kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve, duke theksuar se ky vendim është ndërmarrë për të garantuar sigurinë e vizitorëve dhe për të mbrojtur një nga monumentet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore në vend.
/Motilokal.com
