Ministrja e Mjedisit e Kosovës, Fitore Pacolli, ka bërë të ditur se sot janë marrë dy vendime të rëndësishme që synojnë forcimin e mbrojtjes së resurseve natyrore në vend.
Vendimi i parë ka të bëjë me ndalimin e transferimit të tokave ujore. Me këtë vendim ndalohet rreptësisht çdo veprim i zyrtarëve publikë për transferimin e pronësisë së tokave ujore pa zbatimin e dispozitave përkatëse të Ligjit për Ujërat e Kosovës. Sipas Ministrisë, ky vendim vjen si reagim ndaj rasteve të shumta në komuna të ndryshme ku është konstatuar transferim i pronësisë së tokave ujore në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.
Vendimi i dytë ka të bëjë me fillimin e procedurës për ndërprerjen e lejeve ujore për hidrocentralet e vogla. Pas inspektimeve të kryera në terren, është konstatuar se një pjesë e tyre nuk i plotësojnë kriteret e nevojshme teknike për operim. Në bazë të këtij vendimi, operatorëve u jepet një afat tranzitor prej gjashtë muajsh për të përmbushur kushtet teknike dhe ligjore.
Sipas Ministrisë së Mjedisit, këto masa janë ndërmarrë me qëllim të mbrojtjes së resurseve ujore dhe forcimit të zbatimit të ligjit në sektorin e mjedisit.
/Motilokal.com
