“Kur pranvera pickon”: si të mbrohemi nga rriqrat, mushkonjat dhe gjarpërinjtë

“Kur pranvera pickon”: si të mbrohemi nga rriqrat, mushkonjat dhe gjarpërinjtë

Me ardhjen e pranverës dhe rritjen e temperaturave, gjithnjë e më shumë qytetarë kalojnë kohë në natyrë si në parqe, male apo zona rurale. Por bashkë me këtë rikthim të jetës në ambiente të hapura, shtohet edhe ekspozimi ndaj rreziqeve që shpesh nënvlerësohen: pickimet nga rriqrat dhe mushkonjat, si dhe kafshimet nga gjarpërinjtë. Në shumicën e rasteve këto incidente kalojnë pa pasoja, por në situata të caktuara mund të shndërrohen në probleme serioze shëndetësore, sidomos kur lidhen me sëmundje infektive apo reaksione të rënda.

Në Kosovë, disa prej këtyre rreziqeve janë të pranishme çdo vit, veçanërisht në zona të caktuara ku ato konsiderohen edhe endemike. Nga infeksionet bakteriale si Sëmundja Lyme, deri te viruset më të rrezikshme si ethet hemorragjike Krime-Kongo apo virusi West Nile, njohja e hershme e shenjave dhe reagimi i duhur mund të bëjnë dallimin mes një gjendjeje të lehtë dhe një komplikimi serioz.

Për të kuptuar më qartë se kur duhet të shqetësohemi, si të veprojmë në rast pickimi apo kafshimi, dhe cilat janë mënyrat më efektive të mbrojtjes, biseduam me infektologun në Klinikën Infektive të Kosovës Dr. Visar Gashi, i cili ndan këshilla praktike dhe të bazuara në përvojën klinike.

Intervistoi: Shkëlzen Rrecaj

Dr. Gashi, a mund të na tregoni se sa i rrezikshëm është pickimi nga rriqrat dhe çfarë sëmundjesh mund të transmetojnë?

Pickimi nga rriqrat nuk është gjithmonë i rrezikshëm. Varet nga fakti nëse rriqra është e infektuar apo jo. Nëse rriqrat janë të infektuara, ato mund të transmetojnë disa sëmundje. Në Kosovë, dy prej sëmundjeve më të njohura që lidhen me pickimin nga rriqrat janë:

  • Sëmundja Lyme (Borrelia) – një infeksion bakterial që transmetohet përmes pickimit të rriqrave të infektuara.
  • Ethet hemorragjike Krime-Kongo – një sëmundje virale më e rëndë.

Këto janë dy patalogji që ne i njohim dhe janë endemike në disa zona të Kosovës.

Cilat janë shenjat e para që duhet të na shqetësojnë pas pickimit?

Varet nga lloji i rriqrës dhe nëse ajo ka qenë e infektuar, pra nëse bart virusin e etheve hemorragjike apo bakterin që shkakton Sëmundja Lyme.

Në përgjithësi, çdo pickim nga rriqra nuk duhet të trajtohet duke e larguar në mënyrë të dhunshme, pasi kjo mund të rrisë rrezikun e infektimit.

Një nga shenjat tipike të infektimit me bakterin e Lyme është skuqja e lëkurës në formë rrethi, e cila zgjerohet gradualisht, ndërsa pjesa qendrore zbehet. Kjo njihet si “target sign” (shenja e shënjestrës), me një rreth të kuq dhe një zonë më të hapur në mes. Kjo është tregues se rriqra ka qenë e infektuar dhe në këto raste duhet të fillohet trajtimi me antibiotikë.

Në rastet e etheve hemorragjike, zakonisht nuk shfaqen shenja në lëkurë. Problemet fillojnë më vonë dhe janë më serioze, sidomos në zonat endemike si Malisheva.

Simptomat mund të përfshijnë:

  • urinim me ngjyrë më të errët ose me gjak
  • gjakderdhje nga hunda
  • gjakderdhje nga mishrat e dhëmbëve
  • njolla ose vijëzime në lëkurë

Këto janë shenja serioze që tregojnë një infeksion të rëndë dhe kërkojnë trajtim të menjëhershëm mjekësor.

Megjithatë, edhe pse është një sëmundje e rëndë dhe e avancuar, nëse trajtohet me kohë, rastet fatale janë të rralla.

Si duhet ta heqim rriqrën në mënyrë të sigurt dhe kur duhet të paraqitemi te mjeku pas një pickimi?

Rriqra duhet të hiqet me shumë kujdes që të mos stresohet. Nuk rekomandohet të përdoren metoda shtëpiake si benzinë, apo substanca të tjera, pasi këto e stresojnë rriqrën.

Kur rriqra stresohet, ajo mund të lëshojë përmbajtjen e saj në plagë, duke rritur rrezikun e infektimit.

Heqja duhet të bëhet me pincetë (ose mjet të posaçëm), duke e kapur sa më afër lëkurës dhe të mos bëhen manipulime të mëdha dhe mundësisht të bëhet rrotullimi kundër akrepave të orës të bëhet me kujdes dhe të largohet.

Edhe nëse ndodh që një pjesë e vogël, si koka, të mbetet në lëkurë, zakonisht nuk është problem i madh organizmi e largon vetë me kalimin e kohës.

Problemi kryesor lind kur rriqra dëmtohet ose stresohet gjatë heqjes, sepse atëherë ajo mund të “vjellë” përmbajtjen e saj në trup dhe të transmetojë baktere si ato që shkaktojnë Sëmundja Lyme.

Pas heqjes, zona duhet të pastrohet dhe të mbahet nën vëzhgim.

Nëse shfaqen simptoma si:

  • skuqje e lëkurës që zgjerohet
  • temperaturë
  • lodhje apo dhimbje trupi

Atëherë duhet të kërkohet menjëherë ndihmë mjekësore.

Si mund të mbrohemi kur dalim në natyrë?

Në natyrë, sidomos në zonat me bar të gjatë, male apo livadhe, duhet pasur kujdes shtesë, veçanërisht në verë dhe pranverë kur rriqrat janë më aktive.

Kur dalim në vende të tilla sidomos fëmijët e vegjël, është më mirë të veshim rroba me mëngë dhe pantallona të gjata, sepse rriqrat zakonisht ngjiten nga bari i lartë ose shkurret.

Në zonat rurale, sidomos në fshatra ku ka bagëti si dele apo dhi, rreziku është më i madh, pasi këto kafshë mund të jenë bartëse të rriqrave.

Pas kthimit nga natyra, është e rëndësishme të kontrollohet trupi, sidomos këmbët, belin dhe pjesët e mbuluara nga rrobat, për të parë nëse ka ndonjë rriqër të ngjitur.

Megjithatë, kjo nuk do të thotë që duhet të kufizohet jeta apo aktiviteti në natyrë. Thjesht duhet kujdes dhe sjellje parandaluese, jo frikë apo shmangie totale.

A janë mushkonjat në vendin tonë bartëse të ndonjë sëmundjeje serioze dhe cilat janë rreziqet më të zakonshme nga pickimi i tyre?

Në vendin tonë aktualisht është i pranishëm virusi West Nile, i cili transmetohet përmes pickimit të mushkonjave. Ky virus fillimisht është identifikuar te kuajt, por më pas është vërtetuar se infekton edhe njerëzit.

Mushkonjat janë bartësit kryesorë të këtij virusi dhe në shumicën e rasteve e transmetojnë atë te njerëzit.

Sëmundja e shkaktuar nga ky virus zakonisht kalon lehtë, por në disa raste mund të prekë sistemin nervor qendror. Kur virusi depërton në tru, shkakton encefalit (inflamacion të trurit), që është ndryshe nga meningjiti, i cili zakonisht shkaktohet nga bakteret.

Në shumicën e rasteve, ecuria e sëmundjes është e mirë, por ekzistojnë edhe raste më të rënda.

Nuk ka trajtim specifik për këtë virus. Pacientët zakonisht shtrohen në spital për monitorim, marrin terapi simptomatike dhe trajtim mbështetës.

Së fundmi, studimet shkencore kanë vënë re se mushkonjat po ndryshojnë zonat e tyre të përhapjes për shkak të ndryshimeve klimatike. Disa lloje të mushkonjave që vijnë nga Afrika janë identifikuar edhe në Itali, që është relativisht afër rajonit tonë.

Këto mushkonja mund të bartin edhe një sëmundje tjetër të quajtur Dengi, e cila ende nuk është e përhapur në vendin tonë, por ekziston rreziku që në të ardhmen të shfaqet nëse këto mushkonja përhapen edhe në rajonin tonë.

Si mund të dallojmë një pickim normal nga një reaksion alergjik dhe cilat janë mënyrat më efektive për t’u mbrojtur nga mushkonjat?

Reaksionet alergjike nga pickimet e mushkonjave apo insekteve të tjera zakonisht janë lokale dhe shfaqen vetëm në vendin e pickimit. Aty vërehet skuqje, ënjtje dhe kruarje, dhe madhësia e reagimit ndryshon nga personi në person.

Megjithatë, situata bëhet shqetësuese kur reagimi nuk mbetet vetëm lokal, por fillon të përhapet në pjesë të ndryshme të trupit. Në këto raste, kruarja është më e theksuar, lëkura ngritët mbi sipërfaqen e saj dhe shfaqen skuqje të përhapura në formë ekzanteme, tipike për reaksion alergjik.

Shenjat mund të përfshijnë zona të ndryshme si fytyra, gjoksi, krahët dhe këmbët. Në raste të tilla, është e nevojshme të kërkohet ndihmë mjekësore sa më shpejt për të marrë terapi kundër alergjisë.

Sa i përket parandalimit, rekomandohet kujdes i shtuar gjatë periudhave kur insektet janë më aktive, veçanërisht në orët e mbrëmjes para errësirës. Në këtë kohë, mushkonjat shumohen dhe janë më agresive.

Për mbrojtje, sugjerohet përdorimi i repelentëve, sprejeve kundër insekteve, si dhe veshja me rroba me mëngë të gjata gjatë qëndrimit në ambiente të hapura.

Në pranverë dhe me rritjen e temperaturave, si dhe me gjelbërimin e natyrës, rritet edhe aktiviteti i insekteve, duke shtuar mundësinë e pickimeve.

Tash në kohën e pranverës dhe me ngrohjen e motit, me gjelbërimin e fushave e pyjeve, gjarpërinjtë fillojnë aktivitetin e tyre. Sa janë të rrezikshme kafshimet e gjarprit dhe si mund ta dallojmë nëse një gjarpër është helmues?

Në praktikën tonë profesionale, çdo vit hasim disa raste të kafshimeve nga gjarpërinjtë që trajtohen në klinikën infektive. Disa prej këtyre llojeve janë potencialisht të rrezikshme.

Një nga gjarpërinjtë helmues që mund të haset është Vipera ammodytes, i njohur për pamjen e tij karakteristike me ngjyra të përziera (“lara-lara”) dhe shenjë dalluese në kokë.

Nëse hasni një gjarpër, duhet të largoheni menjëherë dhe të mos tentoni asnjë veprim të papërgjegjshëm ndaj tij, pavarësisht nëse është i vogël apo i madh.

Në rast kafshimi, është e domosdoshme që personi të dërgohet urgjentisht në pikën më të afërt shëndetësore, si ambulanca ose qendra e mjekësisë familjare, për marrjen e ndihmës së parë. Pas stabilizimit fillestar, pacienti duhet të referohet në institucione të specializuara, si Qendra Klinike Universitare e Kosovës, për trajtim të mëtejshëm, përfshirë administrimin e serumit kundër helmimit.

Pasojat e kafshimit nga gjarpërinjtë helmues mund të jenë serioze, duke përfshirë dëmtime të rënda të indeve, komplikime në ekstremitete që mund të çojnë deri në amputim, e në raste të rralla edhe vdekje.

Megjithatë, fatmirësisht, rastet me pasoja fatale janë të rralla.

Cilat janë veprimet e para që duhet të ndërmerren menjëherë pas kafshimit?

Në internet dhe në platforma si YouTube qarkullojnë shumë këshilla të pasakta dhe të rrezikshme për trajtimin e kafshimeve nga gjarpërinjtë. Praktika si prerja e vendit të kafshimit, shkaktimi i gjakderdhjes apo thithja e helmit janë të rrezikshme dhe mund ta përkeqësojnë gjendjen duke rritur përhapjen e helmit dhe rrezikun e infeksionit.

Në rast kafshimi nga gjarpri, rekomandohet që ekstremiteti i prekur (dora ose këmba) të mbahet i palëvizshëm dhe në nivel sa më të ulët ose të njëjtë me trupin. Qëllimi kryesor është të ngadalësohet përhapja e helmit në organizëm.

Nuk rekomandohet vendosja e lidhjeve shumë të forta (si turniket), pasi ato mund të ndërpresin qarkullimin e gjakut dhe të shkaktojnë dëmtime serioze të indeve. Në vend të kësaj, mund të bëhet një imobilizim i lehtë për të kufizuar lëvizjen.

Personi duhet të qëndrojë i qetë dhe të shmangë lëvizjet e panevojshme. Paniku dhe aktiviteti fizik rrisin ritmin e zemrës dhe përshpejtojnë përhapjen e helmit në trup.

Është e domosdoshme të thirret menjëherë ndihma e shpejtë dhe personi të dërgohet sa më shpejt në pikën më të afërt shëndetësore për ndihmën e parë, e më pas në një institucion të specializuar për trajtim të mëtejshëm.

Nëse do t’i jepnit një mesazh të drejtpërdrejtë qytetarëve, cili do të ishte gabimi që duhet shmangur patjetër?

Është e rëndësishme që të jemi gjithmonë vigjilentë kur dalim në natyrë apo shkojmë në pushime me familjen. Veçanërisht duhet t’i edukojmë fëmijët për rreziqet e mundshme, pasi ata janë më kureshtarë dhe priren të eksplorojnë mjedisin përreth.

Fëmijëve duhet t’u shpjegohen rreziqet, por pa i frikësuar apo kufizuar tepër. Qëllimi është që ata të fitojnë përvojë në mënyrë të sigurt, duke qenë të vetëdijshëm për ambientin ku ndodhen.

Një këshillë e rëndësishme për prindërit është që, pas çdo qëndrimi në natyrë, të kontrollojnë me kujdes trupin e fëmijës. Duhet të ekzaminohet e gjithë lëkura për të parë nëse ka pickime nga insektet apo nga rriqrat, të cilat shpesh janë shumë të vogla dhe mund të mos vërehen lehtë.

Po ashtu, ekziston mundësia e pickimeve apo kafshimeve të tjera, të cilat mund të kalojnë pa u vënë re në momentin kur ndodhin. Për këtë arsye, kontrolli i plotë i trupit është shumë i rëndësishëm.

Vonesat në identifikimin e një pickimi apo kafshimi mund të sjellin komplikime, prandaj reagimi në kohë është thelbësor për shmangien e pasojave.

/Motilokal.com