Paralajmërim për ngrica dhe të ftohtë ekstrem në Evropë

Paralajmërim për ngrica dhe të ftohtë ekstrem në Evropë

Një valë e pazakontë e të ftohtit me origjinë arktike pritet të përfshijë pjesë të mëdha të Evropës në fund të prillit dhe ditët e para të majit 2026, duke sjellë një rënie të ndjeshme të temperaturave, veçanërisht në Evropën Lindore, Qendrore dhe Juglindore.

Sipas parashikimeve meteorologjike, ndryshimi i fortë i kushteve atmosferike lidhet me dobësimin sezonal të vorbulla polar dhe krijimin e një sistemi të fuqishëm bllokues mbi Atlantikun e Veriut dhe Groenlandë. Ky konfigurim po devijon rrjedhën normale të ajrit dhe po lejon depërtimin e masave të ftohta drejt jugut të kontinentit.

Temperaturat pritet të bien nga 8 deri në 15°C nën mesataren për këtë periudhë, ndërsa në disa zona mund të regjistrohen ngrica të mëngjesit me vlera nga 0°C deri në -5°C. Rajonet më të prekura pritet të jenë Ballkani, Polonia, Ukraina, pjesë të Evropës Qendrore dhe Turqia.

Kjo valë e të ftohtit vjen pas një periudhe jashtëzakonisht të ngrohtë në fillim të pranverës, e cila ka përshpejtuar zhvillimin e bimësisë. Si pasojë, kulturat bujqësore – sidomos vreshtat dhe pemët frutore në fazë lulëzimi janë më të ekspozuara ndaj dëmtimeve nga ngricat e vonshme.

Në zonat veriore dhe malore priten edhe reshje bore jashtë sezonit, me akumulime të konsiderueshme në disa pjesë të Evropës Veriore dhe potencialisht edhe në rajone të Turqisë. Ndërkohë, Evropa Perëndimore do të mbetet relativisht më e ngrohtë, duke krijuar një kontrast të theksuar temperaturash në kontinent.

Meteorologët paralajmërojnë se ky kombinim i pranverës së hershme dhe rikthimit të të ftohtit mund të ketë ndikim të ndjeshëm në prodhimin bujqësor, veçanërisht në rajonet ku temperaturat bien nën zero gjatë natës.

/Motilokal.com