Ajri i ndotur nga termocentralet, IKSHPK paralajmëron pasoja të rënda për shëndetin

Ajri i ndotur nga termocentralet, IKSHPK paralajmëron pasoja të rënda për shëndetin

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka ngritur shqetësimin për përkeqësimin e cilësisë së ajrit në vend, duke e cilësuar ndotjen si një ndër sfidat më të mëdha mjedisore, shëndetësore dhe klimatike, e cila tashmë konsiderohet emergjencë globale e shëndetit publik.

Sipas institutit, termocentralet e Kosovës (A dhe B), që përdorin thëngjillin si burim energjie, vazhdojnë të jenë ndër burimet kryesore të ndotjes së ajrit, duke lëshuar substanca të dëmshme si ozoni (O₃), oksidet e azotit (NOx), dioksidi i squfurit (SO₂) dhe grimca të imta PM10 dhe PM2.5.

Të dhënat nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës dhe Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës tregojnë se sektori i energjetikës kontribuon me rreth 40% të emisioneve ndotëse në ajër. Emisionet nga tymi dhe pluhuri ndikojnë në rritjen e përqendrimit të grimcave të dëmshme në atmosferë, duke zgjatur kohën e qëndrimit të tyre në ambient.

Sipas ekspertëve, mbi 90% e grimcave të thithura ndikojnë drejtpërdrejt në sistemin respirator, duke rritur incidencën e infeksioneve, veçanërisht te fëmijët, të moshuarit, gratë shtatzëna dhe personat me sëmundje kronike.

Pasojat shëndetësore të ndotjes së ajrit përfshijnë:

  • Rritje të vdekshmërisë në popullatë
  • Sëmundje akute dhe kronike të frymëmarrjes, përfshirë bronkitin dhe përkeqësimin e astmës
  • Irritim të syve dhe rrugëve të frymëmarrjes
  • Efekte toksike në sistemin kardiovaskular
  • Ulje të cilësisë së jetës
  • Rrezik të shtuar për sëmundje kancerogjene

IKSHPK bën të ditur se ditëve të fundit është vërejtur rritje e ndjeshme e ndotjes nga tymtarët e termocentraleve në zonën e Obiliqit, duke e përkeqësuar më tej situatën.

Masat urgjente të propozuara:

  • Monitorim në kohë reale dhe publikim transparent i të dhënave nga KEK-u
  • Kontroll i rregullt dhe transparent i filtrave të termocentraleve
  • Inspektime të shpeshta dhe vendosje e gjobave për shkelësit
  • Instalimi i teknologjive për desulfurizim dhe reduktim të NOx
  • Modernizim i pajisjeve ekzistuese

Masat për mbrojtjen e shëndetit publik:

  • Krijimi i një sistemi të integruar informimi në situata emergjente
  • Rritja e vetëdijes për rëndësinë e cilësisë së ajrit
  • Monitorim dhe raportim i vazhdueshëm i ndotjes
  • Zgjerimi i zonave të gjelbra ndërmjet zonave industriale dhe atyre të banimit
  • Vendosja dhe zbatimi i standardeve për emetimet industriale

Ekspertët e IKSHPK paralajmërojnë se, në mungesë të veprimeve urgjente, vendi mund të përballet me pasoja serioze në shëndetin publik, përfshirë rritje të ndjeshme të sëmundjeve kardiovaskulare dhe respiratore, si dhe të vdekshmërisë së përgjithshme.

/Motilokal.com