Nga bollëku në uri: a po hyn bota në një krizë historike ushqimore?

Nga bollëku në uri: a po hyn bota në një krizë historike ushqimore?

Ndërsa tensionet globale thellohen dhe paralajmërimet për një krizë të rëndë ushqimore shtohen, Gjermania po lëviz shpejt për të forcuar sigurinë e saj ushqimore. Paralelisht me përshkallëzimin e krizës në Iran dhe alarmet e Kombeve të Bashkuara për një zi të mundshme historike, Berlini ka nisur zgjerimin e rezervave kombëtare të ushqimit.

Ministri federal i Bujqësisë, Alois Rainer, ka njoftuar një plan për rritjen e ndjeshme të rezervave emergjente, me synim mbrojtjen e popullsisë nga krizat e mëdha dhe të paparashikuara.

Aktualisht, Gjermania ruan rezerva strategjike të produkteve bazë si gruri, orizi, tërshëra dhe qumështi pluhur në mbi 150 lokacione të sigurta. Por strategjia e re shkon më tej: në fokus do të jenë edhe ushqimet e gatshme me afat të gjatë ruajtjeje, përfshirë produktet e konservuara.

Ndryshimi kryesor qëndron në mënyrën e magazinimit. Në vend të mbështetjes vetëm te depot shtetërore, qeveria synon të bashkëpunojë me prodhuesit dhe rrjetet e shitjes me pakicë, duke krijuar një sistem më të shpërndarë dhe fleksibël. Kjo qasje pritet të përshpejtojë reagimin në rast emergjencash dhe të ulë kostot e mëdha të infrastrukturës.

Shtysa për këtë veprim vjen nga zhvillimet ndërkombëtare. Për shkak të krizës në Iran dhe ndërprerjeve në rrugët kyçe të transportit detar, përfshirë Ngushticën e Hormuzit dhe Detin e Kuq, çmimet e energjisë, karburantit dhe plehrave janë në rritje të ndjeshme.

Sipas vlerësimeve të OKB-së, kjo situatë mund të shtyjë deri në 45 milionë njerëz drejt urisë akute deri në mesin e vitit 2026. Edhe Programi Botëror i Ushqimit paralajmëron se kriza po përhapet globalisht, duke goditur më rëndë shtresat më të ndjeshme të shoqërisë.

Në këtë kontekst, Gjermania po e vendos përgatitjen strategjike dhe stabilitetin kombëtar në qendër të politikave të saj, si një mburojë ndaj një krize që mund të prekë miliona njerëz në mbarë botën.

/Motilokal.com