Shpërthim vdekjeprurës në fabrikë fishekzjarrësh në Kinë

Shpërthim vdekjeprurës në fabrikë fishekzjarrësh në Kinë

Një shpërthim i fuqishëm në një fabrikë fishekzjarrësh në provincën Hunan të Kinës ka shkaktuar të paktën 21 viktima dhe 61 të plagosur.

Ngjarja ndodhi rreth orës 16:40 të së hënës, në qytetin Liuyang, në uzinën Huasheng. Për shkak të rrezikut, ekipet e emergjencës evakuuan banorët dhe punëtorët brenda një rrezeje prej 3 kilometrash nga vendi i shpërthimit.

Autoritetet angazhuan rreth 500 persona në operacionet e kërkim-shpëtimit, ndërsa në terren u përdorën edhe robotë për të lokalizuar personat e bllokuar në ndërtesë.

Ndërkohë, policia ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e shpërthimit dhe ka ndërmarrë masa ndaj personit përgjegjës të kompanisë.

Sipas autoriteteve, dy depo baruti brenda kompleksit paraqesin ende rrezik të lartë, duke vështirësuar ndërhyrjen e ekipeve të shpëtimit.

Fuqia e shpërthimit ishte aq e madhe sa dëmtoi edhe ndërtesat përreth, duke thyer dritaret e banesave pranë fabrikës.

Të plagosurit, të moshave nga 20 deri në 60 vjeç, kanë pësuar kryesisht dëmtime nga mbeturinat që u hodhën në ajër gjatë shpërthimit.

Presidenti Xi Jinping ka kërkuar mobilizim të plotë për gjetjen e personave të zhdukur dhe trajtimin e të plagosurve, si dhe një hetim të plotë për të nxjerrë përgjegjësit para drejtësisë.

/Motilokal.com