Ndryshimet klimatike nuk përbëjnë më një rrezik të largët, por një realitet që po ndikon drejtpërdrejt ekonominë, infrastrukturën dhe komunitetet, shpesh duke kaluar kufijtë shtetërorë. Kështu u shpreh ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, gjatë Konferencës Rajonale për Klimën që po mbahet në Tiranë.
Përmes një videomesazhi drejtuar pjesëmarrësve, Jaupaj vlerësoi faktin që Shqipëria po mirëpret një event të tillë të rëndësishëm, i cili synon kalimin nga zotimet politike në zbatimin e masave konkrete.
Ai theksoi se ndryshimet klimatike mbeten një sfidë globale që kërkon koordinim të ngushtë rajonal dhe bashkëpunim ndërkombëtar të qëndrueshëm.
Sipas tij, konferenca ka si qëllim forcimin e bashkëpunimit në rajon, veçanërisht në përmirësimin e sistemeve të paralajmërimit të hershëm dhe lidhjen më efikase të të dhënave klimatike me politikat publike dhe investimet strategjike.
Jaupaj vuri në dukje gjithashtu rëndësinë e përafrimit me Agjendën e Gjelbër të Bashkimit Evropian dhe procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.
Ai shtoi se është thelbësore përshpejtimi i zbatimit të zgjidhjeve konkrete dhe sigurimi i financimeve për klimën, me qëllim ndërtimin e një shoqërie më të qëndrueshme ndaj sfidave mjedisore.
“Nismat që nisin këtu duhet të vazhdojnë edhe pas konferencës, përmes bashkëpunimit më të fortë, përgjegjësisë së përbashkët dhe ndikimit real në terren”, u shpreh ai.
Konferenca Rajonale për Klimën në Tiranë ka mbledhur përfaqësues nga shumë vende dhe konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt forcimit të veprimit klimatik, ku bashkëpunimi, inovacioni dhe politikat e gjelbra marrin një rol qendror në mbrojtjen e mjedisit dhe brezave të ardhshëm.
/Motilokal.com
