Nga Stambolli, Pacolli kërkon bashkëpunim për mbrojtjen e burimeve ujore

Nga Stambolli, Pacolli kërkon bashkëpunim për mbrojtjen e burimeve ujore

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, po merr pjesë në Istanbul International Water Forum, ku janë mbledhur liderë dhe vendimmarrës nga mbarë bota për të diskutuar sfidat globale të ujit dhe mjedisit.

Në këtë forum të nivelit të lartë, Pacolli po përfaqëson Republikën e Kosovës në një nga platformat më të rëndësishme ndërkombëtare për menaxhimin e burimeve ujore dhe zhvillimin e qëndrueshëm. Pjesëmarrja e saj konsiderohet një tregues i rritjes së rolit diplomatik të Kosovës në diskutimet globale për mbrojtjen e mjedisit.

Gjatë fjalës së saj, ministrja theksoi se burimet ujore nuk janë vetëm pasuri natyrore, por edhe një element kyç i sigurisë kombëtare. Ajo nënvizoi se ky forum shërben si një mundësi konkrete për shkëmbim përvojash dhe për integrimin e teknologjive të avancuara në politikat vendore për mbrojtjen e lumenjve dhe ekosistemeve.

Pacolli gjithashtu vlerësoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar, duke theksuar se përfshirja e Kosovës në këto platforma po e forcon zërin e saj në çështjet që lidhen me të ardhmen e mjedisit dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

Në fund, ajo shprehu falënderim për ministrin turk İbrahim Yumaklı për ftesën dhe mbështetjen e treguar ndaj Kosovës.


/Motilokal.com