Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka bërë të ditur se gjatë vitit 2026 Inspektorati i Mjedisit ka shqiptuar 28 gjoba në fusha të ndryshme, nga të cilat janë arkëtuar mbi 50 mijë euro.
Përmes një njoftimi publik, ajo theksoi se në kuadër të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor është vendosur një qasje e re ndaj ndotjes së mjedisit, të cilën e cilësoi si të vendosur dhe pa kompromis.
Sipas Pacollit, kjo qasje synon rritjen e llogaridhënies dhe ndëshkimin e shkelësve që dëmtojnë mjedisin.
Ajo shtoi se të hyrat nga gjobat tashmë kanë kaluar pragun prej 50 mijë eurosh, ndërsa paralajmëroi intensifikim të kontrolleve në terren.
“Ky është vetëm fillimi. Inspektimet do të shtohen dhe institucionet do të veprojnë me vendosmëri për mbrojtjen e pasurive natyrore”, ka deklaruar Pacolli.
/Motilokal.com


