Rritja e turizmit në Antarktidë shton frikën për ndotje dhe përhapje sëmundjesh

Rritja e turizmit në Antarktidë shton frikën për ndotje dhe përhapje sëmundjesh

Antarktida po përjeton një rritje të ndjeshme të turizmit, e nxitur pjesërisht nga frika se peizazhet e saj të ngrira mund të zhduken në mënyrë të pakthyeshme për shkak të ndryshimeve klimatike, raportoi AP.

Ekspertët paralajmërojnë se shtimi i vizitorëve rrit rrezikun e ndotjes, përhapjes së sëmundjeve dhe dëmtimeve të tjera në këtë kontinent të brishtë.

Edhe pse numri i turistëve mbetet relativisht i ulët për shkak të kostove të larta dhe udhëtimeve të gjata, ritmi i rritjes ka alarmuar shkencëtarët dhe ambientalistët.

Vëmendja ndaj këtij fenomeni u shtua pas shpërthimit vdekjeprurës të virusit të rrallë “Hantavirus” në bordin e anijes holandeze “MV Hondius”, gjatë një kroçere polare disajavore.

Shumica e ekspeditave turistike zhvillohen në Gadishullin Antarktik, një nga rajonet që po ngrohet më shpejt në botë. Sipas NASA-s, mes viteve 2002 dhe 2020, Antarktida humbi mesatarisht rreth 149 miliardë tonë akull çdo vit.

Një nga itineraret më të zakonshme nis nga Argjentina drejt Antarktidës dhe vazhdon përgjatë brigjeve të Afrikës, rrugë e ndjekur edhe nga “MV Hondius”.

Claire Christian, drejtoreshë ekzekutive e “Koalicionit të Antarktidës dhe Oqeanit Jugor”, tha se kontinenti ofron përvoja unike, nga balenat dhe fokat te pinguinët dhe ajsbergët, duke lënë mbresa të forta tek vizitorët.

Rritje e shpejtë e turizmit

Sipas Shoqatës Ndërkombëtare të Operatorëve Turistikë të Antarktidës, mbi 80 mijë turistë zbarkuan në Antarktidë gjatë vitit 2024, ndërsa rreth 36 mijë të tjerë e vizituan atë nga anijet turistike.

Ndërkohë, Unioni i Shkencëtarëve të Shqetësuar vlerëson se turizmi në kontinent është rritur dhjetëfish gjatë 30 viteve të fundit.

Studiues nga Universiteti i Tasmanisë paralajmërojnë se numri i vizitave mund të trefishohet ose katërfishohet në dekadën e ardhshme, duke kaluar 400 mijë vizita në vit.

Sipas ekspertëve, një pjesë e turistëve tërhiqen nga i ashtuquajturi “turizëm i shansit të fundit” — dëshira për të parë nga afër një mjedis që po ndryshon me shpejtësi.

Frika nga ndotja dhe përhapja e sëmundjeve

Autoritetet nuk kanë konfirmuar ndotje të lidhur me anijen “MV Hondius”, por shqetësimet mbeten të larta.

Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve kanë paralajmëruar se shpendët migratorë kanë sjellë gripin e shpendëve nga Amerika e Jugut në Antarktidë gjatë viteve të fundit.

Për këtë arsye, operatorët turistikë kanë forcuar rregullat për higjienën dhe sjelljen e vizitorëve, në përpjekje për të mbrojtur si turistët ashtu edhe ekosistemin e brishtë të kontinentit.

Vizitorëve u kërkohet të shmangin kontaktin me kafshët dhe të mos prekin tokën me objekte të tjera përveç këmbëve.

Ekspertët paralajmërojnë gjithashtu për rrezikun e përhapjes së sëmundjeve në anijet turistike, përfshirë “norovirusin”. Shpërthimi i COVID-19 në anijen “Diamond Princess” në vitin 2020 tregoi se sa shpejt mund të përhapen viruset në hapësira të mbyllura.

Hetimet për “Hantavirusin”

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, “MV Hondius” u nis nga Ushuaia e Argjentinës më 1 prill, duke vizituar Antarktidën dhe disa ishuj të izoluar.

OBSH-ja po heton mundësinë e transmetimit nga njeriu te njeriu, ndërsa dyshohet se personi i parë i infektuar e kishte marrë virusin para se të hipte në bord.

Thirrje për masa më të forta

Antarktida administrohet nga Traktati i Antarktidës, i cili e përcakton territorin si zonë shkencore për qëllime paqësore.

Megjithatë, ekspertët theksojnë se ky kuadër është hartuar në një kohë kur turizmi ishte shumë më i kufizuar.

Ambientalistët kërkojnë masa më të forta për mbrojtjen e specieve si pinguinët, balenat, zogjtë detarë dhe fokat, si dhe organizmave të vegjël që përbëjnë bazën e zinxhirit ushqimor.

Pavarësisht shqetësimeve në rritje, Antarktida vazhdon të mbetet një destinacion magjepsës për turistët, falë bukurisë së saj të rrallë dhe të paprekur.

/Motilokal.com