100 vjet Sir David Attenborough: Zëri i natyrës që nuk plaket

100 vjet Sir David Attenborough: Zëri i natyrës që nuk plaket

Sir David Attenborough, një nga emrat më të mëdhenj të dokumentarëve për natyrën dhe figurë e respektuar e BBC-së, feston sot 100-vjetorin e lindjes.

I lindur më 8 maj 1926, ai konsiderohet ndër pionierët e dokumentarëve modernë mbi jetën e egër. Karrierën e nisi në BBC në vitin 1952 dhe më vonë drejtoi BBC Two, duke qenë pjesë edhe e zhvillimit të televizionit me ngjyra në Mbretërinë e Bashkuar.

Gjatë më shumë se shtatë dekadave, Attenborough ka prezantuar seri që kanë hyrë në histori, si “Life on Earth”, “The Living Planet” dhe “Planet Earth”, të cilat ndryshuan standardet e dokumentarit natyror dhe mënyrën e rrëfimit vizual të botës së gjallë.


Interesi i tij për natyrën filloi herët. I rritur në Leicester mes dy luftërave botërore, ai mblidhte fosile dhe objekte natyrore, duke zhvilluar një kureshtje të vazhdueshme për botën përreth.

Pas studimeve në shkencat natyrore në Universitetin e Cambridge, kaloi në BBC pas një periudhe pune në botime arsimore. Fillimisht u përfshi në radio, por shpejt u orientua drejt televizionit.

Emisioni “Zoo Quest” në vitet 1950 e çoi në ekspedita në vende të largëta si Sierra Leone, ku dokumentoi kafshë në habitatin e tyre natyror. Ky program shënoi një kthesë në mënyrën e realizimit të dokumentarëve për natyrën.

Në një mesazh të publikuar para ditëlindjes, ai tha se ishte i prekur nga urimet e shumta nga njerëz në mbarë botën, duke pranuar se nuk e kishte pritur një reagim kaq të gjerë.

Festimet për 100-vjetorin përfshijnë një koncert në Royal Albert Hall në Londër dhe një seri programesh televizive që i kushtohen jetës dhe punës së tij.

Në dekadat e fundit, Attenborough është bërë edhe një nga zërat më të njohur globalë për mbrojtjen e mjedisit dhe ndërgjegjësimin mbi ndryshimet klimatike, duke ndikuar në debatet publike për krizën ekologjike.

/Motilokal.com