Nga simptoma gripi te rreziku serioz: çfarë është hantavirusi

Nga simptoma gripi te rreziku serioz: çfarë është hantavirusi

Virusi transmetohet kryesisht nga brejtësit dhe zakonisht nuk përhapet lehtë nga njeriu te njeriu. Megjithatë, disa forma të tij mund të shkaktojnë sëmundje të rënda që prekin mushkëritë dhe veshkat.

Tre persona kanë humbur jetën pas një shpërthimi të dyshuar të hantavirusit në bordin e anijes turistike polare MV Hondius, e cila po lundronte në Atlantik. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, deri më 4 maj 2026 janë regjistruar gjithsej shtatë raste: dy të konfirmuara laboratorikisht dhe pesë të dyshuara. Nga këto, tre persona kanë vdekur, një pacient ndodhet në gjendje kritike dhe tre të tjerë shfaqin simptoma të lehta.

Anija me flamur holandez ishte nisur nga Argjentina në drejtim të Kepit të Gjelbër. Një nga pacientët po trajtohet në kujdes intensiv në Afrikën e Jugut, ndërsa në mesin e viktimave raportohet edhe një çift nga Holanda.

Çfarë është hantavirusi?

Hantaviruset janë një grup virusesh që gjenden kryesisht te brejtësit si minjtë dhe voluharicat. Këta kafshë mund ta mbajnë virusin pa simptoma, por e përhapin përmes urinës, jashtëqitjes dhe pështymës.

Njeriu infektohet zakonisht duke thithur grimca të kontaminuara në mjedise ku kanë qenë të pranishëm brejtësit. Më rrallë, infeksioni mund të ndodhë edhe përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me materiale të infektuara, përfshirë kafshimet ose gërvishtjet.

Edhe pse infeksionet janë të rralla, ato mund të jenë serioze. Në përgjithësi, hantaviruset nuk përhapen lehtë nga njeriu te njeriu, ndryshe nga viruset respiratore si gripi apo COVID-19. Disa përjashtime të kufizuara janë raportuar në variante të veçanta, si virusi Andes në Amerikën e Jugut.

Si shfaqet sëmundja?

Hantaviruset ndahen në dy grupe kryesore: të Botës së Vjetër dhe të Botës së Re.

Viruset e Botës së Vjetër, të pranishme në Evropë dhe Azi, shkaktojnë ethe hemorragjike me sindromë renale, që prek kryesisht veshkat. Simptomat përfshijnë temperaturë të lartë, dhimbje koke, dhimbje shpine dhe barku, si dhe dëmtim të funksionit të veshkave.

Viruset e Botës së Re, të pranishme në Amerikë, mund të shkaktojnë sindromën pulmonare të hantavirusit, një gjendje e rëndë që prek mushkëritë. Fillimisht paraqitet si grip me ethe, lodhje dhe dhimbje muskujsh, por mund të përparojë shpejt në vështirësi serioze në frymëmarrje dhe insuficiencë respiratore.

Periudha e inkubacionit zgjat nga një deri në tetë javë, gjë që shpesh e vështirëson përcaktimin e saktë të burimit të infeksionit.

Si dyshohet të ketë ndodhur shpërthimi?

Hetimet për rastin në MV Hondius janë ende në zhvillim. Sipas OBSH-së, burimi i infeksionit nuk është përcaktuar. Ndër hipotezat kryesore janë ekspozimi gjatë aktiviteteve në tokë në zona me prani të brejtësve të infektuar, ose kontaminimi i hapësirave të mbyllura në anije si depo apo kabina me ventilim të kufizuar.

Ekspertët theksojnë se rreziku kryesor lidhet me kontaktin me mjedise të kontaminuara, jo me transmetimin nga personi në person.

Sa i rrezikshëm është?

Rreziku varet nga lloji i virusit dhe gjendja shëndetësore e pacientit. Format që prekin veshkat kanë zakonisht prognozë më të favorshme, ndërsa sindroma pulmonare mund të jetë shumë më e rëndë dhe me rrezik të lartë vdekshmërie.

Aktualisht nuk ekziston trajtim antiviral specifik. Trajtimi është mbështetës dhe përfshin oksigjenoterapi, stabilizim të qarkullimit dhe, në raste të rënda, ventilim mekanik.

Parandalimi

Parandalimi konsiston kryesisht në shmangien e kontaktit me brejtësit dhe mjediset e kontaminuara. Hapësirat e mbyllura duhet të pastrohen me kujdes, duke shmangur ngritjen e pluhurit.

Nuk rekomandohet fshirja e thatë apo përdorimi i fshesës me korrent në zona të dyshuara, pasi mund të përhapë grimca të infektuara në ajër. Më e sigurt është dezinfektimi i lagësht dhe përdorimi i pajisjeve mbrojtëse.

Në udhëtime, sidomos në zona të izoluara, këshillohet kujdes me ushqimin e ruajtur, kabinat e mbyllura dhe çdo shenjë të pranisë së brejtësve.

Hantavirusi mbetet një infeksion i rrallë, por potencialisht serioz. Edhe pse nuk përhapet lehtë nga njeriu te njeriu, ekspozimi ndaj mjediseve të kontaminuara mund të ketë pasoja të rënda.

Rasti në MV Hondius nënvizon rëndësinë e higjienës, kontrollit të brejtësve dhe reagimit të shpejtë mjekësor në mjedise të mbyllura dhe ekspedita të largëta.

/Motilokal.com