IKSHPK: Hantavirusi nuk është sëmundje e re, tetë raste në pesë vitet e fundit

IKSHPK: Hantavirusi nuk është sëmundje e re, tetë raste në pesë vitet e fundit

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se rreziku nga infeksioni me hantavirus për qytetarët në Kosovë dhe në vendet e Bashkimit Evropian mbetet shumë i ulët, pavarësisht rasteve të fundit të raportuara në një anije kroçierë në Atlantikun Jugor.

Sipas të dhënave të Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC), deri më 6 maj 2026 janë raportuar shtatë raste me hantavirus në një anije kroçierë, ku tre persona kanë humbur jetën, ndërsa një tjetër ndodhet në gjendje kritike. Hetimet laboratorike kanë konfirmuar në disa mostra praninë e virusit Andes (ANDV), i cili është endemik në Argjentinë.

IKSHPK bën të ditur se, bazuar në vlerësimin aktual të rrezikut, transmetimi nga njeriu te njeriu ndodh vetëm pas kontaktit të ngushtë dhe të zgjatur dhe nuk përhapet lehtë. Autoritetet shëndetësore kanë ndërmarrë masa parandaluese në anijen ku janë raportuar rastet.

Sa i përket situatës në Kosovë, Instituti thekson se ethet hemorragjike me sindromë veshkore, të shkaktuara nga hantaviruset, nuk janë sëmundje e re në vend dhe se numri i rasteve mbetet i ulët dhe i qëndrueshëm.

Sipas të dhënave zyrtare, gjatë periudhës 2021–2025 janë raportuar gjithsej tetë raste: dy raste në vitin 2021, një rast në vitin 2022, nga dy raste në vitet 2023 dhe 2024, si dhe një rast në vitin 2025.

Hantaviruset transmetohen nga brejtësit te njerëzit, kryesisht përmes thithjes së grimcave të kontaminuara nga urina, fekalet ose pështyma e brejtësve të infektuar. Në Evropë, sëmundja zakonisht paraqitet si ethe hemorragjike me sindromë veshkore.

Periudha e inkubacionit zgjat zakonisht rreth dy javë, ndërsa simptomat përfshijnë temperaturë, lodhje, dhimbje muskujsh, probleme gastrointestinale dhe në raste më të rënda dëmtim të veshkave apo probleme respiratore.

IKSHPK thekson se hantavirusët që qarkullojnë në Evropë nuk transmetohen nga personi në person dhe nuk barten nga insektet. Transmetimi ndërmjet njerëzve është dokumentuar vetëm për virusin Andes në disa zona të Amerikës Jugore.

Më të rrezikuar konsiderohen punonjësit e pyjeve, fermerët dhe personat që punojnë ose qëndrojnë në ambiente ku ka prani të brejtësve.

Aktualisht nuk ekziston vaksinë e licencuar kundër hantavirusit në Evropë dhe nuk ka trajtim specifik antiviral, ndërsa trajtimi mbështetës dhe ai simptomatik mbeten thelbësorë për menaxhimin e sëmundjes.

Instituti rekomandon shmangien e kontaktit me brejtësit dhe mbetjet e tyre, pastrimin dhe mirëmbajtjen e rregullt të ambienteve, ventilimin e hapësirave të mbyllura para pastrimit, si dhe përdorimin e maskave dhe dorezave gjatë pastrimit të vendeve ku mund të ketë brejtës.

/Motilokal.com