Prilli 2026, ndër tre më të nxehtit e regjistruar ndonjëherë në botë

Prilli 2026, ndër tre më të nxehtit e regjistruar ndonjëherë në botë

Prilli i vitit 2026 është renditur si prilli i tretë më i ngrohtë i regjistruar ndonjëherë në nivel global, sipas të dhënave të ERA5, duke konfirmuar vazhdimin e temperaturave rekord në mbarë planetin. Temperatura mesatare globale arriti në 14.89°C, ose 0.52°C mbi mesataren e periudhës 1991-2020 dhe 1.43°C mbi nivelet para-industriale të viteve 1850-1900.

Vetëm prilli i viteve 2024 dhe 2025 kanë qenë më të ngrohtë, ndërsa prilli i këtij viti barazohet me temperaturat e regjistruara në vitet 2016 dhe 2020.

Sipas raportit, ngrohja globale gjatë muajit prill është ndikuar ndjeshëm nga rritja e temperaturave të oqeaneve, veçanërisht në Paqësor, ku temperaturat e sipërfaqes së detit arritën nivelin e dytë më të lartë të regjistruar ndonjëherë për këtë muaj, me një mesatare prej 21°C.

Ekspertët theksojnë se kushtet neutrale të ENSO-s po kalojnë gradualisht drejt një faze të re El Niño, çka pritet të ndikojë në rritjen e mëtejshme të temperaturave në muajt në vijim.

Në Evropë, prilli i vitit 2026 ishte i dhjeti më i ngrohtë në histori, me temperaturë mesatare prej 8.88°C, ose 0.50°C mbi normalen klimatike të viteve 1991-2020.

Kontinenti u karakterizua nga kontraste të forta klimatike. Evropa Jugperëndimore, përfshirë Spanjën, Francën Jugore dhe Italinë, përjetoi temperatura shumë më të larta se mesatarja, ndërsa pjesa më e madhe e Evropës Lindore pati mot më të ftohtë se zakonisht.

Pjesë të Spanjës veriore dhe Francës jugore regjistruan prillin më të ngrohtë që nga fillimi i matjeve moderne klimatike. Sipas autoriteteve meteorologjike, Spanja përjetoi prillin më të nxehtë që nga viti 1962, ndërsa Franca të tretin më të ngrohtë që nga viti 1900.

Raporti thekson se një zonë e qëndrueshme me presion të lartë mbi Evropën Perëndimore solli mot të thatë dhe me diell, ndërsa presioni i ulët mbi lindjen e kontinentit favorizoi depërtimin e ajrit të ftohtë nga veriu.

Temperatura shumë mbi mesataren u regjistruan gjithashtu në pjesë të Arktikut, SHBA-së, Azisë Qendrore dhe Australisë Perëndimore, ndërsa kushte më të ftohta se zakonisht u shënuan në Sahara, Lindjen e Mesme dhe disa rajone të Kanadasë dhe Antarktidës.

/Motilokal.com