Turizmi në Kosovë vazhdon trendin pozitiv

Turizmi në Kosovë vazhdon trendin pozitiv

Turizmi në Kosovë ka vijuar trendin pozitiv të rritjes edhe në vitin 2026, me më shumë vizitorë vendorë dhe ndërkombëtarë që kanë zgjedhur të qëndrojnë në hotelet e vendit gjatë muajit mars.

Sipas të dhënave të publikuara, gjatë marsit janë regjistruar 46 mijë e 649 vizitorë në hotele, që paraqet një rritje prej 15.9 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kur numri i vizitorëve ishte 40 mijë e 239.

Nga totali i vizitorëve, 19 mijë e 180 ishin vendorë, ndërsa 27 mijë e 469 të huaj, duke treguar një interes gjithnjë e më të madh të turistëve ndërkombëtarë për Kosovën.

Rritje është shënuar edhe te net-qëndrimet. Gjatë marsit, hotelet regjistruan gjithsej 94 mijë e 804 net-qëndrime. Prej tyre, 52 mijë e 226 u realizuan nga turistët e huaj, ndërsa 42 mijë e 578 nga vizitorët vendorë.

Sipas statistikave, numri i turistëve të huaj është rritur për 9.1 për qind në krahasim me marsin e vitit 2025. Vizitorët më të shumtë kanë ardhur nga Shqipëria, Gjermania, Turqia dhe Zvicra, vende që vazhdojnë të jenë ndër tregjet kryesore për turizmin në Kosovë.

Të dhënat tregojnë se sektori i turizmit po shënon zhvillim gradual, ndërsa interesi për destinacionet dhe ofertën turistike të Kosovës vazhdon të rritet.

/Motilokal.com