“Sot beton, nesër etje” - paralajmërimi i frikshëm për krizën e ujit në Kosovë

“Sot beton, nesër etje” - paralajmërimi i frikshëm për krizën e ujit në Kosovë

Kosova po përballet me degradim të vazhdueshëm të lumenjve, pyjeve dhe ligatinave, ndërsa ndërhyrjet në natyrë po lënë pasoja gjithnjë e më të dukshme në furnizimin me ujë, biodiversitetin dhe sigurinë mjedisore. Betonimi i lumenjve, ndotja, prerjet ilegale, shkëputja e rrjedhës natyrore të lumenjve dhe mungesa e zbatimit të ligjeve po e thellojnë krizën ekologjike në vend dhe po rrisin presionin mbi burimet natyrore. Këto dëme nuk janë më vetëm çështje mjedisore, por po ndikojnë drejtpërdrejt edhe në cilësinë e jetës, shëndetin publik, bujqësinë dhe sigurinë ujore të vendit.

Në shumë zona, lumenjtë po humbin rrjedhën e tyre natyrore, ligatina e Hencit po degradohet gradualisht, ndërsa pyjet vazhdojnë të përballen me prerje ilegale, erozion dhe mungesë të menaxhimit të qëndrueshëm. Në të njëjtën kohë, ndryshimet klimatike dhe periudhat më të shpeshta të thatësirave dhe reshjeve intensive po i bëjnë këto probleme edhe më serioze. Pavarësisht ekzistimit të ligjeve dhe dokumenteve strategjike, zbatimi në terren vazhdon të mbetet një nga sfidat kryesore.

Për këto zhvillime shqetësuese, pasojat afatgjata të degradimit të natyrës dhe nevojën urgjente për ndryshim të qasjes ndaj menaxhimit të lumenjve, pyjeve dhe burimeve ujore, biseduam me aktivisten mjedisore znj. Krenare Salihu nga Ecopana.

Intervistoi: Shkëlzen Rrecaj

Znj. Salihu, cili është mesazhi kryesor i fushatës “Sot beton, nesër etje” dhe çfarë ndryshimi konkret pritet të sjellë?

Mesazhi kryesor është shumë i qartë: nëse sot vazhdojmë t’i betonojmë lumenjtë, t’ua ngushtojmë shtretërit, t’i shkatërrojmë brigjet dhe t’i trajtojmë si kanale teknike, nesër do të përballemi me më pak ujë, më shumë përmbytje, më shumë thatësira dhe ekosisteme shumë më të varfra.

“Sot beton, nesër etje” nuk është vetëm slogan. Është paralajmërim. Kur një lumë betonohet, ai humb aftësinë për të ushqyer ujërat nëntokësore, për të mbështetur biodiversitetin, për të filtruar ndotjen dhe për të funksionuar si ekosistem natyror. Pra, dëmi nuk është vetëm estetik; ai është ekologjik, ekonomik dhe social.

Ndryshimi konkret që synojmë është rritja e vetëdijes publike dhe institucionale, por edhe ndalimi i praktikës së gabuar ku çdo ndërhyrje në lumë quhet “rregullim”, ndërsa në realitet shpesh përbën shkatërrim. Duam që vendimmarrësit, komunat, projektuesit dhe kompanitë zbatuese ta kuptojnë se lumenjtë nuk mbrohen duke u futur në beton, por duke u restauruar dhe duke u kthyer hapësira natyrore.

Duke pasur parasysh se janë identifikuar mbi 140 pengesa artificiale në lumenj, cilat janë pasojat më kritike që ato po shkaktojnë në ekosistemet ujore dhe furnizimin me ujë?

Në pellgun e Drinit të Bardhë, përmes projektit tonë kemi identifikuar 171 struktura lumore, prej të cilave 142 janë konfirmuar si pengesa artificiale që ndërpresin ose dëmtojnë rrjedhën e lirë të lumenjve. Kjo është një gjetje shumë serioze, sepse tregon se lumenjtë tanë janë të fragmentuar në shumë pika dhe se problemi nuk është i izoluar, por sistematik.

Pasojat më kritike janë fragmentimi i habitateve, pengimi i lëvizjes së peshqve dhe organizmave të tjerë ujorë, ndryshimi i rrjedhës natyrore, grumbullimi i sedimenteve dhe degradimi i gjendjes ekologjike të lumenjve. Peshqit dhe organizmat ujorë nuk jetojnë vetëm në një pjesë të lumit; ata kanë nevojë të lëvizin për ushqim, shumim, strehim dhe përshtatje sezonale. Kur rrjedha ndërpritet, popullatat izolohen dhe ekosistemi dobësohet.

Edhe në aspektin e furnizimit me ujë, çdo ndërhyrje që cenon funksionin natyror të lumit ndikon drejtpërdrejt në sigurinë ujore. Lumenjtë e degraduar kanë më pak aftësi për vetëpastrim, për furnizimin e ujërave nëntokësore dhe për ruajtjen e balancës natyrore të ujit. Në një vend që tashmë përballet me periudha thatësire dhe presion në rritje mbi burimet ujore, kjo paraqet një shqetësim serioz.

Si po ndikon betonimi i lumenjve në Kosovë në ciklin natyror të ujit dhe cilat janë pasojat?

Betonimi e prish drejtpërdrejt ciklin natyror të ujit. Kur shtrati dhe brigjet e lumit mbulohen me beton, lumi shkëputet nga toka përreth, nga bimësia bregore dhe nga ujërat nëntokësore. Uji rrjedh më shpejt, depërton më pak në tokë dhe kontribuon më pak në rimbushjen e rezervave nëntokësore.

Kjo sjell disa pasoja serioze: rritet rreziku i përmbytjeve gjatë reshjeve intensive, ulet aftësia e tokës për të mbajtur ujë në periudha thatësire, humben habitatet natyrore dhe dobësohet cilësia e ujit. Me fjalë të thjeshta, betonimi nuk e zgjidh problemin e ujit; shpesh vetëm e zhvendos dhe e përkeqëson atë.

Në Kosovë ende ekziston mentaliteti se lumi “rregullohet” duke u kanalizuar. Kjo duhet të ndryshojë urgjentisht. Zgjidhjet moderne në Evropë po orientohen drejt restaurimit të lumenjve, rikthimit të bimësisë bregore, krijimit të zonave tampon, zgjerimit natyror të shtretërve aty ku është e mundur dhe përdorimit të zgjidhjeve të bazuara në natyrë.

A ka Kosova kapacitete për menaxhim të qëndrueshëm të burimeve ujore, apo problemi qëndron kryesisht te zbatimi i ligjeve ekzistuese?

Kosova ka ekspertë, institucione, ligje dhe dokumente strategjike. Problemi kryesor nuk është mungesa e kapaciteteve, por zbatimi i dobët, koordinimi i pamjaftueshëm dhe mungesa e prioritizimit real të mjedisit dhe burimeve ujore në vendimmarrje.

Shpesh kemi situata ku ligjet ekzistojnë, por ndërhyrjet në lumenj vazhdojnë pa kontroll të mjaftueshëm. Lejet mjedisore trajtohen si procedura formale, ndërsa monitorimi gjatë zbatimit mbetet i dobët. Pra, problemi nuk është vetëm çfarë shkruhet në dokumente, por ajo që ndodh realisht në terren.

Kapacitetet mund dhe duhet të forcohen, por urgjenca kryesore mbetet zbatimi. Nevojitet inspektim më i fuqishëm, përgjegjësi e qartë ndërinstitucionale, ndalim real i ndërhyrjeve të paligjshme dhe monitorim serioz i projekteve që ndikojnë në lumenj, ujëra dhe zona natyrore.

Pse ligatinat dhe ekosistemet e ndjeshme vazhdojnë të anashkalohen në politikat mjedisore, pavarësisht rëndësisë së tyre për biodiversitetin dhe filtrimin e ujit?

Sepse ligatinat shpesh nuk kuptohen si duhet. Për shumë vite ato janë parë si toka të papërdorshme, moçalore apo hapësira që mund të thahen, mbushen ose shfrytëzohen për qëllime të tjera. Në realitet, ligatinat janë ndër ekosistemet më të rëndësishme për biodiversitetin, filtrimin natyror të ujit, ruajtjen e lagështisë, kontrollin e përmbytjeve dhe stabilitetin e klimës lokale.

Një shembull konkret është Ligatina e Hencit, e cila ka rëndësi të madhe për shpendët ujorë, biodiversitetin dhe funksionin ekologjik të zonës, por vazhdon të përballet me probleme serioze. Aty kemi evidentuar ulje të nivelit të ujit në basene, degradim të habitatit, mbeturina, mungesë të menaxhimit të rregullt, gjueti të paautorizuar, peshkim ilegal dhe presion të vazhdueshëm nga aktivitetet përreth. Këto ndërhyrje e dobësojnë funksionin natyror të ligatinës dhe rrezikojnë speciet që e përdorin atë si zonë ushqimi, pushimi, shumimi dhe strehimi.

Problemi është se në politika shpesh flitet për mbrojtjen e natyrës në përgjithësi, ndërsa ekosistemet e ndjeshme nuk marrin buxhet, staf, monitorim dhe masa konkrete. Ligatinat nuk duhet të mbeten vetëm pika në hartë. Ato duhet të kenë plane menaxhimi, regjim të qartë mbrojtjeje, monitorim ekologjik, mirëmbajtje të vazhdueshme dhe masa konkrete për ruajtjen e ujit, shpendëve, vegjetacionit dhe biodiversitetit.

Në çfarë gjendje janë pyjet sot dhe a është ripyllëzimi aktual një zgjidhje reale apo më shumë simbolike?

Pyjet në Kosovë janë nën presion të madh. Kemi prerje ilegale, degradim të pyjeve, zjarre, mbikullotje, erozion, sëmundje pyjore në disa zona dhe menaxhim jo gjithmonë të mjaftueshëm. Pyjet janë thelbësore jo vetëm për biodiversitetin, por edhe për mbrojtjen e ujërave, klimës, tokës dhe parandalimin e erozionit.

Pyjet kanë lidhje të drejtpërdrejtë me lumenjtë dhe ligatinat. Një pyll i shëndetshëm e mban ujin në tokë, e ngadalëson rrjedhjen sipërfaqësore, zvogëlon erozionin dhe ndihmon në ushqimin e burimeve dhe ujërave nëntokësore. Kur pyjet degradohen, rritet shpëlarja e tokës, shtohet sedimentimi në lumenj, dëmtohen habitatet ujore dhe rritet rreziku nga përmbytjet. Prandaj, mbrojtja e pyjeve është edhe mbrojtje e lumenjve, ligatinave dhe burimeve ujore.

Ripyllëzimi është i rëndësishëm, por vetëm nëse realizohet profesionalisht. Nuk mjafton të mbillen fidanë për fotografi apo për aktivitete simbolike njëditore. Ripyllëzimi real kërkon përzgjedhje të specieve vendore, përshtatje me kushtet e zonës, përgatitje të tokës, mbrojtje nga dëmtimet, mirëmbajtje shumëvjeçare dhe monitorim të mbijetesës së fidanëve.

Pjesa më e dobët e shumë aktiviteteve të ripyllëzimit është ajo që ndodh pas mbjelljes. Fidanët duhet të mirëmbahen, të ujiten kur është e nevojshme, të mbrohen nga dëmtimet, kullotja, zjarret dhe konkurrenca e barërave, si dhe të monitorohen për disa vite. Pa këtë fazë, përqindja e mbijetesës mund të jetë shumë e ulët dhe aktiviteti mbetet më shumë simbolik sesa një zgjidhje reale.

Zgjidhja reale mbetet menaxhimi i qëndrueshëm i pyjeve ekzistuese, ndalimi i prerjeve ilegale, restaurimi i zonave të degraduara, krijimi i zonave tampon përgjatë lumenjve dhe ripyllëzimi profesional aty ku ka kuptim ekologjik.

Duke parë të gjitha këto sfida, kush mban përgjegjësinë kryesore për degradimin mjedisor në Kosovë dhe çfarë duhet të ndryshojë urgjentisht?

Përgjegjësia është e ndarë. Institucionet mbajnë përgjegjësinë kryesore, sepse ato hartojnë politikat, japin lejet, zbatojnë ligjet dhe duhet të kontrollojnë terrenin. Nuk mund të flasim për degradim mjedisor pa folur për mungesën e zbatimit, inspektimit dhe tolerimin e ndërhyrjeve të dëmshme për vite me radhë.

Por përgjegjësia nuk është vetëm institucionale. Edhe komunat, operatorët ekonomikë, kompanitë ndërtuese, shfrytëzuesit e resurseve dhe vetë qytetarët kanë rol. Ende shohim raste të shumta të hedhjes së mbeturinave në lumenj dhe përgjatë tyre, sidomos mbeturina inerte nga ndërtimet, mbeturina voluminoze, plastikë dhe materiale të tjera që përfundojnë në shtretërit dhe brigjet e lumenjve. Kjo nuk është vetëm çështje estetike; është ndotje direkte, rrezik për biodiversitetin, cilësinë e ujit dhe shëndetin publik.

Qasja duhet të ndryshojë urgjentisht. Mjedisi nuk duhet të shihet si pengesë për zhvillim, por si bazë për zhvillim afatgjatë. Nevojitet zbatim real i ligjeve, ndalim i ndërhyrjeve të paligjshme, trajtim më serioz i lejeve mjedisore, monitorim gjatë punimeve, ndëshkim për dëmtuesit, buxhet për restaurim dhe mirëmbajtje, si dhe përfshirje më e madhe e ekspertëve dhe komuniteteve lokale në vendimmarrje.

Në veçanti, duhet monitorim më i rreptë dhe gjoba reale për hedhjen e mbeturinave në lumenj. Nuk mjafton vetëm pastrimi pas dëmit; nevojitet parandalim, kontroll i vazhdueshëm, kamera në pikat problematike, patrullime inspektuese, raportim publik dhe ndëshkim për ndotësit e lumenjve. Qytetarët duhet të jenë pjesë e zgjidhjes, por edhe të mbajnë përgjegjësi kur kontribuojnë në degradim.

Në fund, duhet të kuptojmë se kostoja e mosveprimit është shumë më e lartë se kostoja e mbrojtjes. Nëse sot nuk mbrojmë lumenjtë, pyjet dhe ligatinat, nesër do të paguajmë më shumë për ujë, përmbytje, thatësira, humbje të biodiversitetit dhe dëme në shëndetin publik.