Energjia e rinovueshme me bateri në Evropë pritet të rritet mbi 450% deri në 2030

Energjia e rinovueshme me bateri në Evropë pritet të rritet mbi 450% deri në 2030

Kapaciteti i energjisë së rinovueshme i kombinuar me sistemet e ruajtjes në bateri në Evropë pritet të rritet me më shumë se 450% deri në vitin 2030, sipas një raporti të publikuar nga Aurora Energy Research.

Raporti tregon se tregu po kalon nga një fazë thjesht “prodhimi energjie” në një model më kompleks ku prodhimi dhe ruajtja funksionojnë së bashku. Kjo ndryshon mënyrën se si energjia shitet dhe përdoret: në vend që tepricat të shiten me çmime të ulëta ose humbje, ato ruhen në bateri dhe përdoren më vonë kur çmimet rriten.

Në vitin 2025, kapaciteti i projekteve të kombinuara (diellore/erë + bateri) në Evropë arriti rreth 6.3 GW, ku mbi 60% erdhi nga energjia diellore e bashkuar me ruajtje. Deri në vitin 2030, kjo shifër pritet të arrijë rreth 35 GW.

Gjermania del si tregu më tërheqës për investime, për shkak të kthimeve më të larta të pritura, e ndjekur nga Mbretëria e Bashkuar dhe Bullgaria. Ndërkohë, Spanja, Hungaria dhe Franca mbeten tregje “në vëzhgim”, pasi ndryshimet rregullatore mund të ndikojnë drejtpërdrejt në investime.

Një sinjal tjetër i rëndësishëm është rritja e orëve me çmime negative të energjisë në vitin 2025, sidomos në Spanjë, Holandë dhe Gjermani. Kjo tregon një paradoks të tregut: sa më shumë energji e rinovueshme prodhohet pa fleksibilitet, aq më shpesh sistemi detyrohet të ulë çmimet deri në negative.

Po ashtu, fenomeni i “kufizimit të prodhimit” (curtailment) pritet të trefishohet, nga mbi 10 TWh në 2024 në rreth 33 TWh deri në 2030 një sinjal që rrjetet aktuale nuk po ecin me të njëjtin ritëm si prodhimi i energjisë së pastër.

/Motilokal.com