Erërat e forta shkaktuan dëme në Komunën e Prishtinës

Erërat e forta shkaktuan dëme në Komunën e Prishtinës

Komuna e Prishtinës ka njoftuar se, si pasojë e erërave të forta dhe incidenteve të regjistruara gjatë ditës së sotme, ekipet emergjente kanë realizuar 17 intervenime në territorin e Prishtinës dhe Fushë Kosovës.

Sipas njoftimit, në aksione janë angazhuar Brigada Profesionale e Zjarrfikësve, ekipet e Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca, Ndërmarrja Publike Gjelbër dhe Drejtoria e Policisë së Kryeqytetit. Intervenimet kanë përfshirë largimin e kulmeve, llamarinave, reklamave dhe tjegullave, prerjen e drunjve, si dhe trajtimin e disa rasteve të zjarreve.

Rastet janë raportuar në zona të ndryshme, përfshirë lagjen Dardani, rrugët “Aziz Abrashi”, “Mark Isaku”, “Muharrem Fejza”, “Eqrem Çabej” dhe “Shaqir Igrishta”, si dhe në fshatrat Hajvali, Sinidoll, Teneshdoll dhe Mramor. Ndërhyrjet kanë qenë kryesisht për largim të elementeve të dëmtuara nga era, si dhe shuarje të zjarreve në bari të thatë, ushqim bagëtish dhe zonë malore.

Sipas komunës, aktualisht dy intervenime vazhdojnë të jenë aktive, ndërsa ekipet emergjente ndodhen ende në terren. Autoritetet kanë falënderuar të gjitha ekipet operative për reagimin dhe angazhimin në mbrojtje të jetës dhe pronës së qytetarëve.


/Motilokal.com