Bashkë me lulet “lulëzojnë” edhe virozat: Çfarë duhet të dini

Bashkë me lulet “lulëzojnë” edhe virozat: Çfarë duhet të dini

Infektologu Visar Gashi, në profilin e tij në Facebook ka shkruar për shtimin e rasteve me viroza gjatë stinës së pranverës, duke theksuar se ndryshimet e shpejta të temperaturave krijojnë kushte të favorshme për përhapjen e tyre.

Sipas tij, megjithëse kjo periudhë shoqërohet me ditë më të ngrohta dhe më shumë aktivitete në natyrë, shumë qytetarë përballen me simptoma si hundë të bllokuara, irritim të fytit, teshtima të shpeshta dhe lodhje trupore.

Gashi thotë se kalimi i shpejtë nga temperaturat e ulëta në mëngjes në ato më të larta gjatë ditës ndikon edhe në sistemin imunitar, i cili shpesh ka vështirësi të përshtatet me këto luhatje.

Ai rekomandon që gjatë kësaj periudhe të shtohet kujdesi ndaj shëndetit, duke përfshirë hidratimin e rregullt, konsumimin e ushqimeve të pasura me vitamina si agrumet, xhenxhefili, mjalta dhe perimet jeshile, si dhe pushimin e mjaftueshëm.

Po ashtu, ai thekson rëndësinë e larjes së duarve, sidomos në kohën kur njerëzit kalojnë më shumë kohë jashtë dhe janë në kontakt me sipërfaqe apo persona të ndryshëm.

Sipas infektologut, në shumicën e rasteve simptomat kalojnë me kujdes bazik dhe pushim, por nëse ato zgjasin apo përkeqësohen, qytetarët duhet të konsultohen me mjekun.


/Motilokal.com