Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural u ka bërë thirrje fermerëve që të shfrytëzojnë periudhën optimale të mbjelljeve pranverore për kultivimin e specit në fushë të hapur, duke theksuar rëndësinë e menaxhimit të saktë të kushteve agro-teknike për rritje të rendimentit dhe cilësisë së prodhimit.
Speci mbetet një nga kulturat më të rëndësishme perimore në Kosovë, si për sipërfaqet e kultivuara ashtu edhe për ndikimin ekonomik që ka në sektorin bujqësor. Sipas rekomandimeve profesionale, suksesi i prodhimit varet drejtpërdrejt nga kombinimi i faktorëve klimatikë dhe praktikave të mira bujqësore.
Kushtet klimatike dhe ndikimi i tyre
Rritja e specit kërkon ekuilibër të qëndrueshëm të temperaturës, dritës dhe ujit. Temperaturat optimale për zhvillim konsiderohen rreth 25 ± 5°C. Mbirja fillon në 13°C, ndërsa zhvillimi i plotë arrihet në kushte më të ngrohta dhe stabile. Temperaturat e ulëta nën 15°C, veçanërisht kur shoqërohen me mungesë drite, mund të ndikojnë negativisht në formimin e luleve.
Speci është bimë me kërkesa të larta për dritë, dhe mungesa e saj mund të shkaktojë dobësim të bimës dhe rënie të luleve apo frutave të sapoformuara.
Menaxhimi i ujit dhe lagështisë
Kultura kërkon lagështi të kontrolluar gjatë gjithë ciklit të rritjes. Deri në fazën e frutifikimit rekomandohet rreth 70% e kapacitetit ujor të tokës, ndërsa gjatë frutifikimit deri në 80%. Përqindja optimale e lagështisë së tokës llogaritet në 70–80%, ndërsa ajo e ajrit në 60–80%.
Ujitja pikë-pikë rekomandohet si metoda më efikase për të siguruar shpërndarje të saktë të ujit dhe plehrave, duke ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e rendimentit.
Plehërimi dhe ushqyesit
Përdorimi i plehut organik, veçanërisht plehut të stallës në sasi 30–50 ton për hektar, mbetet praktikë e zakonshme. Për rendimente të synuara prej 35–40 tonësh për hektar, rekomandohen edhe sasi të balancuara të materieve ushqyese minerale si azoti, fosfori dhe kaliumi, të përshtatura sipas kushteve të prodhimit dhe kultivarit.
Përgatitja dhe mbjellja e fidanëve
Përgatitja cilësore e tokës është parakusht për sukses. Fidanët duhet të jenë të zhvilluar (me 5–6 gjethe), të shëndetshëm dhe të kalitur mirë. Rekomandohet transplantimi së bashku me substratin origjinal për të shmangur stresin e bimës.
Mbështetje për fermerët
Fermerët inkurajohen të kërkojnë asistencë profesionale në Qendrat Informative Komunale për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, si dhe nga këshilltarët komunalë të shërbimeve këshillimore bujqësore.
/Motilokal.com
