Urani dhe Neptuni janë dy planetë që historikisht janë klasifikuar si "gjigantë akulli" dhe orbitojnë shumë larg në skajet e ftohta të sistemit tonë diellor. Megjithatë, është e mundur që kuptimi ynë për përbërjen e tyre të jetë plotësisht i gabuar dhe këta planetë mund të jenë në fakt plot me shkëmbinj, sugjerojnë studiuesit në një studim të ri.
"Ne zbuluam se si Urani ashtu edhe Neptuni kanë shtresat e tyre të jashtme që përbëhen kryesisht nga shkëmbinj, si dhe nga hidrogjen dhe helium. Kjo bie ndesh me besimin e zakonshëm se ato janë planetë të akullt", tha për Space.com autorja e studimit Yamila Miguel e Institutit Holandez për Kërkime Hapësinore.
Këto dy planetë kanë bërthama të brendshme shkëmbore të rrethuara nga mantele akulli, dhe më pas atmosfera të trasha që mendohet se përmbajnë hidrogjen, helium dhe metan, si dhe re silikati. Në disa zona me presion të lartë, atmosfera e gaztë kalon në një gjendje fluide, por rezultatet e këtij studimi sugjerojnë se këto atmosfera mund të jenë edhe të "shpërndara" me shkëmbinj.
Ekipi i hulumtimit arriti në këto përfundime pasi hulumtimet e reja treguan se objektet në rajonin trans-Neptunian, rajoni i akullt përtej Neptunit, janë në fakt më shkëmborë sesa të akullt. Studimet e mëparshme kanë sugjeruar tashmë se objekte si Plutoni, kometat dhe trupat e rripit Kuiper kanë një përbërje më shkëmbore, thanë studiuesit.
"Ne menduam se nëse këto objekte janë kryesisht shkëmbore, ndoshta Urani dhe Neptuni janë të tillë", tha Miguel.
Për të arritur në përfundimet e tyre, studiuesit modeluan përbërjen e të dy planetëve, duke simuluar mbështjellësit e tyre (atmosferën e brendshme dhe të jashtme), mantelin dhe bërthamën. Bazuar në kushte të tilla si temperatura në shtresat atmosferike, ekipi zbuloi se këto kushte mund të çonin në kondensimin e reve silikate në pjesë të caktuara të atmosferës, duke krijuar material shkëmbor.
Pra, megjithëse Urani dhe Neptuni njihen si gjigantë akulli që shtrihen larg Diellit, ata janë "më shkëmborë" nga sa mendohej më parë si planetë "të akullt". Siç thotë Miguel, "ata mund të kenë shumë akull në brendësi të tyre, por sigurisht që nuk janë plotësisht të akullt siç besonim më parë".
Miguel beson se këto gjetje të reja mund të hapin gjithashtu debatin mbi riklasifikimin e këtyre planetëve.
"Ne duhet ta ndryshojmë klasifikimin e tyre në mënyrë që të mos jetë mashtrues. Në vend të 'i akullt' ose 'shkëmbor', ne mund t'i quajmë thjesht 'gjigantë të vegjël' ose diçka të ngjashme", theksoi ajo.
Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se ky studim nuk paraqet një klasifikim të ri përfundimtar të këtyre planetëve, por hap pyetje interesante rreth përbërjes së tyre, ndër të cilat janë: a mund të jenë atmosferat e tyre vërtet të mbushura me shkëmbinj, cilat aspekte të tjera të rëndësishme të përbërjes së tyre nuk janë zbuluar ende, cilat mistere të tjera fshihen në pjesët e ftohta dhe të largëta të fqinjësisë sonë kozmike...
/Motilokal.com
