Në Strugë u zhvillua sot një takim rajonal mes përfaqësuesve institucionalë nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, me fokus bashkëpunimin për përballimin e sfidave mjedisore dhe ndikimit të ndryshimeve klimatike në sigurinë e rajonit.
Takimi, i pari i këtij formati, bëri bashkë deputetë, zyrtarë qeveritarë, autoritete lokale dhe ekspertë të shoqërisë civile. Aktiviteti u organizua me mbështetjen e OSBE, përmes prezencave të saj në Shqipëri dhe Shkup, si dhe Zyrës së Koordinatorit për Aktivitetet Ekonomike dhe Mjedisore.
Në diskutime morën pjesë përfaqësues të komisioneve parlamentare për mjedisin, burimet natyrore dhe infrastrukturën, së bashku me drejtues të zonave të mbrojtura dhe organizata mjedisore. Theksi u vendos te lidhja mes ndryshimeve klimatike, degradimit të natyrës dhe ndikimit që këto fenomene kanë në sigurinë rajonale.
Në hapje të takimit, Michel Tarran, kreu i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, tha se bashkëpunimi ndërparlamentar mbetet kyç për përballimin e rreziqeve mjedisore, duke theksuar se sfidat klimatike kërkojnë koordinim më të fortë institucional dhe veprim të përbashkët përtej kufijve.
Gjatë sesioneve u diskutua për çështje që prekin të gjithë rajonin, si dëmtimi i pyjeve, prerjet e paligjshme dhe mbrojtja e biodiversitetit. Pjesëmarrësit u ndalën edhe te menaxhimi i përbashkët i burimeve natyrore dhe përdorimi i tokës, duke vlerësuar rëndësinë e legjislacionit të harmonizuar dhe përgjegjësisë institucionale.
Nga ana e saj, OSBE prezantoi edhe përvoja konkrete nga rajoni i Shkodrës, ku janë zbatuar nisma bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Malit të Zi për adresimin e çështjeve mjedisore ndërkufitare.
Takimi përfundoi me dakordim për thellimin e bashkëpunimit, përmes shkëmbimeve të specializuara dhe nismave të përbashkëta ndërmjet institucioneve, me synim forcimin e qëndrueshmërisë ndaj sfidave klimatike në rajon.
/Motilokal.com
