Në maj, kur pranvera ka marrë hov dhe temperaturat ngritën, Mali i Korabit ende mban mbi supe mbetjet e dimrit. Bora nuk është larguar plotësisht, duke i dhënë majave një kontrast të veçantë mes të bardhës së ftohtë dhe gjelbërimit që sapo ka nisur të zgjohet.
Në pllajat ku dëbora është shkrirë, shfaqen hapësira të mbuluara nga shafran i egër. Lulet e tij krijojnë njolla të arta mbi tokën alpine, si një qilim natyror që i jep peizazhit një ndjesi të rrallë qetësie dhe bukurie.
Korabi shtrihet si një botë më vete: lëndina të gjera, shpate të thyera dhe maja të larta që të japin ndjesinë e horizontit pa fund. Në lartësi të tilla, peizazhi duket sikur afrohet me qiellin, ndërsa shumëllojshmëria e bimësisë dhe prania e faunës e bëjnë zonën të gjallë dhe të paprekur.
Rrugët që përshkojnë këtë vargmal janë të ndryshme dhe lidhin zona si Kërçini, Hinoska, Rabdishti, Grama dhe Radomira. Disa prej tyre kërkojnë disa ditë ecje për t’u përjetuar plotësisht, ndërsa të tjera mund të bëhen brenda një dite, duke kaluar pranë monumenteve të kulturës, vendeve arkeologjike, xhamive e kishave, si dhe staneve dhe bujtinave tradicionale që e ruajnë jetën e malësisë.
/Motilokal.com
