Qeveria ndan një milion euro për largimin e 500 deponive ilegale në Kosovë

Qeveria ndan një milion euro për largimin e 500 deponive ilegale në Kosovë

Kryeministri i Albin Kurti ka bërë të ditur nisjen e një programi urgjent për përmirësimin e situatës me mbeturinat, me një fond prej 1 milion eurosh. Sipas tij, ky investim synon largimin e rreth 500 deponive ilegale, si dhe forcimin e ndërmarrjeve publike përmes shtimit të stafit dhe pajisjeve të nevojshme për menaxhimin e mbeturinave dhe mirëmbajtjen e hapësirave të gjelbra.

Ai theksoi se kjo nismë është krijuar për të trajtuar një problem serioz mjedisor, duke ndërhyrë në zonat ku deponitë ilegale rrezikojnë shëndetin e qytetarëve dhe dëmtojnë mjedisin. Sipas tij, qeveria synon të marrë rol më aktiv dhe drejtues në organizimin e këtij sektori.

Kurti e cilësoi menaxhimin e mbeturinave si një nga sfidat më të mëdha institucionale në vend, duke theksuar se mbledhja dhe trajtimi i tyre kërkon bashkëpunim të mirëfilltë ndërmjet institucioneve dhe shoqërisë. Ai tha se aktualisht ka mungesa të mëdha, sidomos në zonat jashtë vendbanimeve, çka e bën këtë sektor prioritet të qeverisë.

Po ashtu, ai njoftoi se tashmë është përgatitur projektligji për menaxhimin e mbeturinave dhe se për zbatimin e planit janë paraparë pesë marrëveshje me kompanitë rajonale dhe ndërmarrjet publike, disa prej të cilave tashmë janë nënshkruar.

Ndërkohë, ministrja e Mjedisit, Fitore Pacolli-Dalipi, deklaroi se kjo paketë përfaqëson një ndër aksionet më të mëdha për pastrimin e deponive ilegale dhe zonave ndërurbane. Ajo tha se programi do të fokusohet në tri drejtime kryesore: pastrimin e hapësirave jashtë vendbanimeve, rritjen e numrit të inspektorëve dhe zbatimin e sistemit të gjobave për ndotësit.

Sipas saj, është marrë edhe vendimi për krijimin e një grupi operativ që do të koordinojë veprimet në kuadër të emergjencës së mbeturinave, duke shtuar se nuk do të ketë më tolerim për ata që ndotin ambientin.


/Motilokal.com