Vazhdojnë aktivitetet për monitorimin e llojeve invazive në ekosistemet ujore të Kosovës

Vazhdojnë aktivitetet për monitorimin e llojeve invazive në ekosistemet ujore të Kosovës

Instituti për Mbrojtjen e Natyrës ka vazhduar aktivitetet hulumtuese për monitorimin e llojit invaziv Procambarus clarkii, i njohur si Gaforrja e Kuqe e Luizianës, në ekosistemet ujore të Kosovës.

Pas monitorimeve të realizuara në ujërat nëntokësore, përkatësisht në Shpellën e Flladit në Panorc të Malishevës dhe në Shpellën e Radavcit, aktivitetet kërkimore janë shtrirë edhe në Liqenin e Perlepnicës. Hulumtimet po zhvillohen në zona me rrjedhje më të ngadalshme të ujit dhe me kushte të favorshme për praninë dhe përhapjen e kësaj specie invazive.

Gjatë punës në terren, ekipet kanë marrë mostra për analizimin e parametrave biologjikë dhe kimikë të ujit, ndërsa janë vendosur edhe kurtha monitoruese për evidentimin dhe përcjelljen e pranisë së këtij lloji në habitatet ujore.

Ky aktivitet realizohet në kuadër të një projekti ndërkombëtar të mbështetur nga Unioni Ndërkombëtar i Speleologjisë (UIS), në bashkëpunim me organizata kërkimore, speologjike dhe limnologjike nga disa vende evropiane. Në këtë projekt, Kosova përfaqësohet nga Instituti për Mbrojtjen e Natyrës.

Sipas organizatorëve, qëllimi i projektit është studimi i përhapjes së Gaforres së Kuqe të Luizianës dhe zhvillimi i strategjive për menaxhimin dhe mbrojtjen e habitateve të ndjeshme, përmes monitorimit të standardizuar shkencor dhe forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar në mbrojtjen e biodiversitetit dhe kontrollin e specieve invazive.

/Motilokal.com