Në Prishtina është prezantuar një mënyrë e re për largimin e mbeturinave voluminoze nga amvisëritë, përmes një sistemi online për rezervimin e termineve.
Sipas drejtorit të Shërbimeve Publike, Leutrim Retkoceri, qytetarët tani mund të kërkojnë largimin e mobiljeve të vjetra, frigoriferëve të dëmtuar dhe sendeve të tjera të mëdha, pa i lënë ato pranë kontejnerëve apo në hapësira publike.
“A keni mobilje të vjetra, frigorifer të prishur apo sende që nuk ju nevojiten më? Mos i lini në rrugë apo afër kontejnerëve, komuna i merr pa pagesë”, ka bërë të ditur Retkoceri.
Për të shfrytëzuar këtë shërbim, qytetarët duhet të hyjnë në platformën mbeturinat.com, ku mund të zgjedhin datën dhe të rezervojnë termin për marrjen e mbeturinave voluminoze.
Sipas njoftimit, ekipet komunale do të dalin në adresën e caktuar për t’i marrë mbeturinat direkt nga amvisëritë.
Ky shërbim është pjesë e iniciativave të komunës për përmirësimin e menaxhimit të mbeturinave dhe mbajtjen më të pastër të qytetit.
/Motilokal.com
