Infektologu Dr. Visar Gashi ka ngritur shqetësimin për rritjen e rrezikut nga sëmundjet e transmetuara përmes rriqrave gjatë muajve të ngrohtë, duke theksuar veçanërisht Anaplasma phagocytophilum.
Sipas tij, kjo baktere transmetohet te njerëzit përmes pickimit të rriqrave të llojit Ixodes ricinus dhe shkakton sëmundjen e njohur si Anaplazmoza Granulocitare Njerëzore.
Dr. Gashi thekson se të dhënat epidemiologjike tregojnë praninë e këtij patogjeni në rriqrat në Kosovë dhe rajonin e Ballkanit, ndërsa ndryshimet klimatike kanë rritur ekspozimin e popullatës, veçanërisht në zonat rurale dhe pyjore.
Ai paralajmëron se një nga sfidat kryesore mbetet nën-diagnostikimi i sëmundjes, pasi simptomat në fazat e hershme janë jo specifike dhe shpesh ngatërrohen me infeksione virale si gripi. Po ashtu, mungesa e dyshimit klinik dhe nevoja për teste specifike laboratorike e vështirësojnë diagnostikimin e hershëm.
Sipas infektologut, qytetarët duhet të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qëndrimit në natyrë, duke rekomanduar:
- kontroll të trupit pas ekspozimit në ambiente me bar dhe pyje,
- heqje të kujdesshme të rriqrave në rast pickimi,
- dhe konsultim me mjekun në rast të temperaturës së pashpjegueshme pas ekspozimit të mundshëm.
Dr. Gashi apelon për kujdes dhe informim të saktë, duke theksuar se diagnostikimi i hershëm mbetet vendimtar për trajtimin e suksesshëm të sëmundjes.
/Motilokal.com
