Ngjyra blu e oqeaneve është një nga karakteristikat më dalluese të Tokës kur shihet nga hapësira. Por planeti ynë nuk ka qenë gjithmonë kështu. Gjatë Eonit Arkean, një periudhë që zgjati nga rreth 4 miliardë deri në 2.5 miliardë vjet më parë, kushtet në oqeane ishin krejtësisht ndryshe nga ato që njohim sot. Në atë kohë nuk kishte oksigjen as në det dhe as në atmosferë, sepse organizmat e parë që kryenin fotosintezë sapo kishin filluar të zhvilloheshin. Jeta shumëqelizore ishte ende miliarda vite larg dhe oqeani i asaj kohe mund të quhej më shumë “Deti i Madh i Gjelbër”.
Për shumë kohë besohej se oqeanet kanë qenë gjithmonë blu. Mirëpo, në vitin 2021, një grup shkencëtarësh nga Universiteti Nagoya në Japoni tronditi botën shkencore duke paraqitur prova se oqeanet dikur kanë qenë të gjelbra. Studimi i tyre, i publikuar në revistën “Nature Ecology & Evolution”, kombinoi vëzhgime në terren, eksperimente laboratorike dhe modele matematikore për të rindërtuar pamjen e oqeaneve gjatë Eonit Arkean.
Sipas hulumtimit, kushtet e asaj periudhe pothuajse me siguri i kishin dhënë oqeanit një ngjyrë të gjelbër, kryesisht falë formave më të hershme të jetës në Tokë. Kjo zbuloi edhe një mundësi intriguese: nëse oqeanet kanë ndryshuar ngjyrë në të kaluarën, a mund të ndodhë kjo përsëri në të ardhmen?
Si ndryshoi ngjyra e oqeaneve?
Atmosfera dhe oqeanet e Tokës u formuan në fillim të Eonit Arkean, menjëherë pasi korja e planetit u ngurtësua. Aktiviteti tektonik krijoi çarje dhe burime hidrotermale në fundin e oqeanit, prej nga filloi të dilte hekur nga brendësia metalike e Tokës.
Në të njëjtën kohë, reshjet e shiut shpërbënin hekurin nga shkëmbinjtë e zhveshur kontinentalë dhe lumenjtë e transportonin atë drejt oqeanit. Me kalimin e kohës, uji u mbush me hekur në formën e tij të paoksiduar, të njohur si hekur ferroz.
Më pas ndodhi një zhvillim vendimtar: evoluuan organizmat e parë që kryenin fotosintezë. Këto baktere primitive përdornin hekurin, dhe jo ujin, për të marrë elektronet e nevojshme për fotosintezë. Ato shndërronin hekurin ferroz në hekur ferrik, pra të oksiduar.
Në këtë formë, hekuri përthith dritën blu dhe të kuqe, ndërsa lejon kalimin e dritës së gjelbër, duke i dhënë oqeanit ngjyrën e gjelbër karakteristike.
Shkencëtarët e Universitetit Nagoya studiuan ujërat pranë ishullit Iwo Jima, të cilat edhe sot duken të gjelbra për shkak të sasisë së madhe të hekurit të oksiduar. Ata zbuluan se aty gjenden me bollëk baktere primitive, duke sugjeruar se ujërat e gjelbra mund të kenë krijuar avantazh për format më të hershme të jetës në Tokë.
Ky zbulim ka edhe një rëndësi tjetër të madhe: ngjyra e gjelbër e oqeaneve mund të jetë një tregues i ekzistencës së jetës primitive edhe në planetë të tjerë.
A mund të ndryshojnë përsëri ngjyrë oqeanet?
Ngjyra e oqeaneve nuk është e pandryshueshme. Me kalimin e kohës, oqeanet u kthyen nga jeshile në blu, pasi i gjithë hekuri ferroz u oksidua. Në atë moment, oksigjeni i prodhuar nga bakteret primitive filloi të grumbullohej lirshëm në oqean dhe më pas në atmosferë.
Kjo çoi në një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e Tokës, Ngjarjen e Madhe të Oksidimit. Planeti kaloi nga një botë pothuajse pa oksigjen në një ambient të pasur me oksigjen, ku mund të zhvillohej jeta aerobike dhe më vonë organizmat shumëqelizorë.
Megjithatë, shkencëtarët thonë se oqeanet mund të ndryshojnë përsëri ngjyrë në të ardhmen. Nëse niveli i sulfurit në ujëra do të rritej shumë, mund të përhapeshin baktere që do ta bënin oqeanin vjollcë. Nivelet e larta të azotit ose përhapja e algave të kuqe mund t’i jepnin deteve një nuancë të kuqe.
Madje, studiuesit besojnë se në fund të jetës së Tokës, oqeanet mund të bëhen sërish të gjelbra. Kjo sepse Dielli, me kalimin e miliarda viteve, do të bëhet më i nxehtë dhe do të lëshojë më shumë rrezatim ultravjollcë, duke shkatërruar organizmat që i japin sot oqeanit ngjyrën e tij të thellë blu.
/Motilokal.com
