Ministrja e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Fitore Pacolli, ka nënshkruar vendimin për inicimin e plotësim-ndryshimit të legjislacionit që rregullon Parqet Kombëtare “Sharri” dhe “Bjeshkët e Nemuna”.
Sipas saj, ky rishikim synon të krijojë një balancë të re mes mbrojtjes së natyrës dhe zhvillimit të qëndrueshëm, duke përfshirë edhe ridefinimin e statusit të zonave të banimit brenda këtyre hapësirave të mbrojtura.
Procesi do të fokusohet në përshtatjen e rregullave sipas specifikave të tri zonave: Rugovës, Lugut të Butë dhe Deçanit. Qëllimi, sipas ministrisë, është të garantohet një jetë më dinjitoze për banorët lokalë, duke ruajtur njëkohësisht traditat, kulturën, historinë dhe vlerat natyrore të këtyre rajoneve.
Ministria ka bërë të ditur se gjatë gjithë procesit do të organizohen dëgjime publike dhe konsultime të drejtpërdrejta me komunitetet lokale, në mënyrë që kërkesat dhe shqetësimet e tyre të trajtohen me prioritet.
/Motilokal.com
