Ministrja në detyrë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka bërë të ditur se Inspektorati i Ministrisë ka shqiptuar gjobë prej 5 mijë euro ndaj Drejtorisë së Urbanizmit dhe Mjedisit në Prishtinë.
Sipas saj, masa është marrë për shkak të aktivitetit të zhvilluar në deponinë e inerteve në Matiqan, i cili, sipas inspektoratit, është realizuar në kundërshtim me dispozitat ligjore për mbrojtjen e ujërave dhe mjedisit.
Pacolli theksoi se në këtë lokacion janë kryer punime dhe depozitime të materialeve inerte pa u përmbushur obligimet ligjore, përfshirë mungesën e lejes ujore dhe dokumentacionit përkatës.
Ajo shtoi se, pavarësisht vendimeve dhe urdhrave të mëhershëm të inspektoratit, aktivitetet në këtë zonë kanë vazhduar.
“Mbrojtja e mjedisit dhe e pasurive ujore është obligim ligjor për secilin nivel të qeverisjes. Si ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, do të vazhdoj të mbështes veprimet e inspektoratit dhe zbatimin e ligjit pa dallim, me qëllim të mbrojtjes së mjedisit dhe interesit publik”, deklaroi Pacolli.
/Motilokal.com
