Kujdes shoferë! Në disa vende mund të gjobiteni nëse e lini xhamin e veturës hapur

Kujdes shoferë! Në disa vende mund të gjobiteni nëse e lini xhamin e veturës hapur

Vera ka ardhur, temperaturat janë në rritje dhe, si çdo vit, është mjaft e zakonshme të shohësh vetura me njërën ose të dyja dritaret pak të hapura për të ajrosur pjesën e brendshme përvëluese. Por kini kujdes, disa vende të Bashkimit Evropian tashmë po lëshojnë gjoba për këtë.

Nëse e lini xhamin e veturës hapur sa për të “marrë frymë” në mënyrë që pjesa e brendshme të mos nxehet shumë gjatë valëve të të nxehtit të verës, papritmas do të përballeni me një gjobë prej më shumë se 170 eurosh. Kjo është tashmë një realitet në disa vende, të cilat shumë prej jush ndoshta do t’i vizitojnë këtë verë.

Edhe pse është mjaft normale gjatë verës të shohësh vetura të parkuara me xhamat pak të ulur për të parandaluar që pjesa e brendshme të bëhet si një furrë e mbyllur, në Itali çdo vit, në Gjermani ndonjëherë dhe së fundmi në Greqi kjo praktikë është e dënueshme.

Greqia dhe Italia: Vendet që ndalojnë lënien e dritareve hapur

Siç shkruan revista Autopista, duke iu referuar gazetës El País, Ligji i ri Grek për Sigurinë Rrugore futi një detyrim të qartë për të siguruar automjetet kundër përdorimit të paautorizuar. Prandaj, autoritetet atje besojnë se kjo praktikë, siç ndodh tashmë në vendet e tjera evropiane, nuk parandalon në mënyrë efektive aksesin e paautorizuar në automjet, dhe sigurisht, as vjedhjen e tij. Gjoba aktuale është 30 euro dhe mund të vendoset nga çdo polic trafiku.

Nga ana tjetër, Italia është vendi më i rreptë në këtë drejtim dhe ka ndëshkuar hapur shoferët që lënë automjetet e parkuara pa mbikëqyrje për vite me radhë. Atje, edhe një dritare veture minimalisht e hapur është bazë për një gjobë, pasi ligji italian i trafikut kërkon që automjetet e parkuara të jenë gjithmonë të siguruara siç duhet. Vetëm një dritare, pak e hapur, është e mjaftueshme për të shkelur këtë rregull.

Gjoba deri në 173 euro për këtë mosveprim

Baza ligjore për ndëshkimin e kësaj praktike në Itali është vendosur në Kodin Rrugor Italian (Codice della Strada), i cili thotë se automjeti duhet të sigurohet kur është i palëvizshëm për të parandaluar përdorimin e paautorizuar. Edhe pse fjala "dritare" nuk përmendet shprehimisht në këtë rregullore, policia dhe autoritetet lokale mund ta interpretojnë një dritare që nuk është mbyllur plotësisht si një shkallë të pamjaftueshme mbrojtjeje.

Rregulloret janë shumë të rrepta: gjoba varion nga 42 deri në 173 euro, varësisht nga vlerësimi i oficerit kompetent të policisë. Ka shumë raste të dokumentuara ku shoferët janë gjobitur sepse dritarja e tyre ishte e hapur vetëm disa centimetra, pasi u vlerësua se "nuk ishin marrë të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar përdorimin e paautorizuar të automjetit".

Gjermania, nga ana e saj, kërkon gjithashtu në ligjin e saj të trafikut që automjetet e parkuara të sigurohen kundër vjedhjes. Prandaj, një dritare anësore e hapur mund të konsiderohet gjithashtu shkelje atje, pasi në fund të fundit lehtëson vjedhjen. Megjithatë, siç raportojnë gazetarët e revistës Auto Motor und Sport, gjoba të tilla rrallë vendosen në praktikë, megjithëse ato mund të vendosen ligjërisht në shumën deri në 15 euro.

/Motilokal.com