Koha e shtogut ka ardhur: Si të përgatisni shurup shtëpiak pa konservues dhe pa pritje të gjatë

Koha e shtogut ka ardhur: Si të përgatisni shurup shtëpiak pa konservues dhe pa pritje të gjatë

Sezoni i lulëzimit të shtogut (zovës) është koha ideale për përgatitjen e një prej pijeve më të dashura tradicionale.

Edhe pse shumë receta tradicionale kërkojnë që lulet të qëndrojnë në ujë për 24 deri në 48 orë, shurupi i shtogut mund të përgatitet edhe shumë më shpejt, pa pasur nevojë për qëndrim të gjatë. Shtimi i limontozit i jep freski dhe një shije të këndshme e të balancuar.

Kjo recetë është ideale për të gjithë ata që dëshirojnë të përgatisin një shurup shtëpiak pa konservues, ndërsa përgatitja zgjat vetëm disa orë.

Përbërësit:

  • 20–30 lule shtogu
  • 2 litra ujë
  • 2 kilogramë sheqer
  • 40 gramë limontoz

Mënyra e përgatitjes:

Fillimisht, tundni lehtë lulet e shtogut për të larguar insektet dhe papastërtitë e mundshme. Në një tenxhere të madhe zieni ujin, më pas shtoni lulet dhe limontozin.

Lërini të ziejnë për 2–3 minuta në temperaturë të ulët, pastaj hiqeni tenxheren nga zjarri. Mbulojeni dhe lëreni të qëndrojë për 1–2 orë, në mënyrë që lulet të lëshojnë aromën e tyre karakteristike.

Pas kësaj kohe, kullojeni lëngun përmes një site të imët ose garze. Në lëngun e kulluar shtoni sheqerin dhe përziejeni mirë derisa të tretet plotësisht.

Vendoseni sërish në zjarr dhe zieni edhe për 3–5 minuta. Shurupin e nxehtë hidheni në shishe të sterilizuara paraprakisht dhe mbyllini menjëherë.

Pas ftohjes, ruajeni në një vend të freskët dhe të errët. Shurupi mund të hollohet me ujë sipas dëshirës dhe të shërbehet si pije freskuese gjatë ditëve të nxehta të verës.

/Motilokal.com