Topat zyrtarë që do të përdoren në Kupën e Botës 2026, e cila do të organizohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Meksikë, do të jenë të pajisur me teknologji të avancuar që synon të ndihmojë gjyqtarët në marrjen e vendimeve më të sakta.
Kompania Adidas ka konfirmuar se topi i ri përmban një sensor lëvizjeje inerciale me frekuencë 500 Hz, i cili mbledh të dhëna në kohë reale dhe i transmeton ato drejtpërdrejt në sistemin VAR.
Falë kësaj teknologjie, do të monitorohet çdo prekje e topit gjatë ndeshjes, duke lehtësuar identifikimin e situatave të diskutueshme si pozicionet jashtë loje, prekjet me dorë dhe raste të tjera që kërkojnë verifikim nga VAR-i.
Një veçori interesante është se topat do të kenë bateri të integruara dhe do të mbushen në stacione të posaçme para çdo ndeshjeje. Sipas Adidas, mbushja e plotë zgjat rreth 90 minuta, ndërsa bateria siguron funksionim të pandërprerë për afërsisht gjashtë orë.
Përfaqësuesit e kompanisë kanë siguruar se autonomia e baterisë është e mjaftueshme për zhvillimin e një ndeshjeje të plotë dhe nuk ekziston rreziku që topi të duhet të zëvendësohet për shkak të shkarkimit të baterisë.
Kupa e Botës 2026 do të nisë më 11 qershor dhe do të përfundojë më 19 korrik. Ky edicion do të hyjë në histori si i pari me pjesëmarrjen e 48 kombëtareve.
/Motilokal.com
