Mbrëmjen e sotme, territori i Bashkisë së Shkodrës është përfshirë nga reshje të dendura shiu, të cilat kanë sjellë situata të ndryshueshme në disa zona të qytetit dhe rrethinave.
Që në momentet e para të intensifikimit të motit, strukturat e Emergjencave Civile, ndërmarrjet e shërbimeve publike si dhe Ujësjellës Kanalizime Shkodër janë vendosur në terren për monitorim të vazhdueshëm dhe ndërhyrje të menjëhershme në pikat ku janë konstatuar problematika.
Autoritetet lokale kanë bërë të ditur se situata po ndiqet në mënyrë të pandërprerë edhe gjatë orëve të natës, ndërsa reshjet dhe shtrëngatat pritet të vijojnë sipas parashikimeve meteorologjike.
Të gjitha strukturat përgjegjëse mbeten në gatishmëri të plotë për të reaguar ndaj çdo emergjence të mundshme dhe për të garantuar sigurinë e qytetarëve.
Qytetarëve u bëhet thirrje të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes, si dhe të shmangin zonat e rrezikuara nga përmbytjet apo rrëshqitjet e mundshme të tokës.
/Motilokal.com


