Ushqimi i pasigurt shkakton 1.5 milion vdekje në vit, fëmijët më të rrezikuarit

Ushqimi i pasigurt shkakton 1.5 milion vdekje në vit, fëmijët më të rrezikuarit

Ushqimi i pasigurt, i kontaminuar me baktere, viruse, parazitë apo kimikate të dëmshme, vlerësohet se shkakton rreth 1.5 milion vdekje çdo vit në mbarë botën, duke prekur veçanërisht fëmijët nën moshën pesë vjeç, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

Në mesazhin e tij përpara Ditës Botërore të Sigurisë Ushqimore, që shënohet më 7 qershor, Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, theksoi se “siguria ushqimore nuk është një çështje abstrakte, por ka të bëjë me çdo vakt, çdo familje dhe çdo ditë”.

Sipas analizës më të fundit të OBSH-së, e cila ka vlerësuar 42 rreziqe ushqimore në 194 vende gjatë periudhës 2000–2021, rreth 866 milionë persona sëmuren çdo vit nga ushqimi i pasigurt, ndërsa rreth 1.5 milion humbin jetën.

Fëmijët e vegjël mbeten grupi më i rrezikuar, me një probabilitet gati tre herë më të lartë për t’u prekur nga sëmundje ushqimore krahasuar me të rriturit.

Edhe pse në përgjithësi barra globale e këtyre sëmundjeve është ulur që nga viti 2000, pabarazitë vazhdojnë të jenë të theksuara. Afrika dhe Azia Juglindore përbëjnë rreth tre të katërtat e rasteve dhe rreth 60% të vdekjeve globale.

OBSH thekson se shumica e rasteve shkaktohen nga rreziqe biologjike si bakteret, viruset dhe parazitët, ndërsa një pjesë e rëndësishme lidhet me substanca kimike të rrezikshme si arseniku inorganik dhe plumbi, të cilat rrisin rrezikun për sëmundje kardiovaskulare dhe kancer.

Ekspertët paralajmërojnë se situata po ndikohet negativisht edhe nga ndryshimet klimatike dhe rritja e rezistencës antimikrobike, që e bën trajtimin e infeksioneve më të vështirë.

Sipas ekspertit të OBSH-së për sigurinë ushqimore, Yuki Minato, të dhënat tregojnë se sëmundjet nga ushqimi i pasigurt jo vetëm që vazhdojnë, por po përkeqësohen.

Përveç ndikimit në shëndet, këto sëmundje shkaktojnë edhe humbje të mëdha ekonomike, të vlerësuara në rreth 647 miliardë dollarë në produktivitet çdo vit.

Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së theksoi se këto shifra tregojnë përmasën reale të problemit dhe nevojën për masa urgjente në nivel global për sigurinë ushqimore.

/Motilokal.com