Një komision i pavarur, i përbërë nga ish-kryeministra, ministra, zyrtarë të organizatave ndërkombëtare dhe përfaqësues të shoqërisë civile, i ka bërë thirrje Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) që të shpallë ndryshimet klimatike si emergjencë ndërkombëtare të shëndetit publik.
Komisioni Pan-Evropian për Klimën dhe Shëndetin, i kryesuar nga ish-kryeministrja islandeze Katrín Jakobsdóttir dhe i themeluar me iniciativën e Drejtorit Rajonal të OBSH-së për Evropën, Hans Henri P. Kluge, mblodhi 13 personalitete të larta nga 53 vendet që përbëjnë rajonin evropian të OBSH-së.
Nga Gjeneva, komisioni publikoi dokumentin “Thirrja për Veprim”, ku i kërkon OBSH-së që ta njohë zyrtarisht ndryshimin klimatik si një emergjencë të shëndetit publik me shqetësim ndërkombëtar.
Sipas komisionit, Rregulloret Ndërkombëtare të Shëndetit nuk janë hartuar për t’u përballur me kërcënimet që sjell kriza klimatike dhe nuk pasqyrojnë më përmasat e sfidës aktuale.
“Mungesa e një shpalljeje formale të emergjencës ka bërë që shumë qeveri ta trajtojnë ndryshimin klimatik si një problem afatgjatë në sfond, dhe jo si një kërcënim të menjëhershëm dhe në rritje, pasojat e të cilit tashmë po ndihen”, thuhet në deklaratë.
Komisioni u bëri thirrje qeverive që ta trajtojnë ndryshimin klimatik si një krizë urgjente dhe në përshkallëzim, jo si një rrezik që i përket vetëm së ardhmes.
Duke nënvizuar ndikimin e ndryshimeve klimatike në shëndetësi, furnizimin me ushqim dhe ujë, energjinë dhe sigurinë kombëtare, komisioni vlerësoi se masat e ndërmarra deri më tani mbeten të pamjaftueshme.
Po ashtu, ai kërkoi që çështjet e klimës dhe shëndetit të përfshihen në axhendat e këshillave të sigurisë kombëtare dhe të trajtohen në mënyrë të koordinuar nga të gjitha institucionet përkatëse.
“Argumentet shëndetësore dhe ekonomike për të vepruar tani janë të pakundërshtueshme. Kostoja e mosveprimit është shumë më e lartë sesa kostoja e masave të hershme për zbutje dhe përshtatje”, theksohet në deklaratë.
Komisioni kërkoi gjithashtu forcimin e qëndrueshmërisë së sistemeve shëndetësore ndaj ndikimeve të klimës, uljen e emetimeve të gazrave serrë, trajnimin e profesionistëve të shëndetësisë për çështjet klimatike dhe integrimin e treguesve kryesorë të klimës në vlerësimin e sistemeve kombëtare shëndetësore.
Një tjetër rekomandim ishte krijimi i mekanizmave të monitorimit që vendosin shëndetin, barazinë sociale dhe qëndrueshmërinë mjedisore në qendër të vendimmarrjes politike.
Komisioni i bëri thirrje gjithashtu OBSH-së që të forcojë koordinimin e veprimeve për klimën dhe shëndetin në të gjithë sistemin e Kombeve të Bashkuara.
“Ndryshimet klimatike nuk janë një problem që i përket vetëm brezave të ardhshëm. Ato përbëjnë një kërcënim real dhe të pranishëm për qytetarët e Evropës sot. Veprimi për klimën nuk është vetëm një domosdoshmëri, por edhe një investim me përfitime të mëdha për një shoqëri më të drejtë, më të sigurt dhe më të qëndrueshme. Të gjithë kemi përgjegjësi politike dhe morale për të vepruar tani”, deklaroi Jakobsdottir.
/Motilokal.com
