Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, bëri të ditur se gjatë muajit maj 2026 Shqipëria priti 1.143.595 vizitorë të huaj, ose 16% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Sipas tij, kjo rritje pasqyron besimin në rritje ndaj Shqipërisë si destinacion turistik, investimet e vazhdueshme publike dhe private në infrastrukturë, zgjerimin e kapaciteteve akomoduese, promovimin aktiv të vendit dhe ofertën gjithnjë e më të pasur turistike gjatë gjithë vitit.
Tregjet kryesore vijojnë të japin kontribut të rëndësishëm në fluksin e vizitorëve. Nga Kosova kanë hyrë 321.714 vizitorë, ndërsa nga Italia 120.344 vizitorë, duke mbetur dy burimet kryesore të turistëve për Shqipërinë.
Ndërkohë, interesi nga tregje të largëta si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadaja dhe Mbretëria e Bashkuar vazhdon të rritet, duke konfirmuar tërheqjen që ushtron Shqipëria për turistët në kërkim të natyrës, kulturës, historisë dhe mikpritjes autentike.
Rritjen më të lartë gjatë muajit maj e shënuan vizitorët nga:
- Lituania +273%
- Danimarka +253%
- Finlanda +83%
- Polonia +80%
- Irlanda +63%
- Izraeli +48%
- Shtetet e Bashkuara të Amerikës +37%
- Kanadaja +37%
- Mbretëria e Bashkuar +32%
- Suedia +26%
- Republika Çeke +25%
- Belgjika +24%
- Italia +24%
- Franca +21%
- Portugalia +19%
- Kosova +15%
Ministri Gonxhja vlerësoi se këto rezultate janë tregues i bashkëpunimit të suksesshëm mes institucioneve, operatorëve turistikë dhe komuniteteve lokale, duke e bërë Shqipërinë një destinacion gjithnjë e më konkurrues, të qëndrueshëm dhe të vlerësuar në tregjet ndërkombëtare.
/Motilokal.com
