Kur një bletë bie në ujë, ajo mund të jetë ende në gjendje të notojë drejt sigurisë. Një studim i ri nga Universiteti Shtetëror i Miçiganit konfirmon se bletët e mjaltit mund të lëvizin mbi sipërfaqen e ujit dhe se lëvizja e tyre është e qëllimshme dhe e orientuar. Ato notojnë drejt zonave më të errëta, duke përdorur me shumë gjasa sinjale vizuale për të gjetur bregun dhe për t’u larguar nga rreziku. Studimi është publikuar së fundmi në revistën shkencore Communications Biology.
Shkencëtarët vetëm kohët e fundit zbuluan se bletët e mjaltit janë në gjendje të lëvizin mbi sipërfaqen e ujit, një aftësi befasuese për një insekt të ndërtuar për fluturim dhe jo për not.
Arsyeja pse bletët mund të lëvizin mbi ujë është mjaft e thjeshtë. Pjesa e poshtme e krahëve të tyre laget shpejt dhe nuk mund të krijojë më forcën e nevojshme për fluturim. Megjithatë, mekanizmi i fluturimit vazhdon të funksionojë, duke krijuar një efekt të ngjashëm me atë të një hidrofoili. Kjo forcë krijon valë pas bletës, të cilat e shtyjnë atë përpara.
Studimi sugjeron se kjo sjellje pak e njohur mund t’i ndihmojë bletët të mbijetojnë kur bien në ujë gjatë kërkimit të ushqimit.
“Ne zbuluam se bletët nuk lëvizin rastësisht kur ndodhen në ujë”, tha Zachary Huang, profesor i asociuar në Departamentin e Entomologjisë në MSU dhe bashkautor i studimit. “Ato orientohen drejt zonave më të errëta, të cilat me gjasë përfaqësojnë tokën, bimësinë ose skajin e një pellgu. Kjo sjellje rrit mundësinë që ato të dalin nga uji.”
Për të testuar këtë sjellje, studiuesit vendosën bletë individuale në një enë të cekët me ujë, ku një pjesë e skajit ishte e errësuar. Shumica e bletëve lëviznin vazhdimisht drejt zonës së errët dhe jo rastësisht nëpër enë. Kjo tregon një prirje të qartë orientimi, e njohur si skototaksi, pra tendenca për t’u drejtuar drejt sinjaleve vizuale më të errëta.
“Lëvizja drejt këtyre sinjaleve mund t’i ndihmojë bletët të gjejnë një vend ku të dalin nga uji, të thajnë krahët dhe të fluturojnë sërish”, tha Huang.
Studiuesit testuan gjithashtu nëse ekspozimi ndaj thiamethoxam-it, një insekticid i përdorur gjerësisht, ndikonte në aftësinë e bletëve për t’u orientuar mbi ujë.
Bletët e ekspozuara ndaj këtij insekticidi nuk treguan më preferencë për zonat e errëta. Në vend të kësaj, ato lëviznin në mënyrë të çrregullt mbi sipërfaqen e ujit dhe ndiqnin rrugë më të gjata për të arritur skajin.
Analizat treguan se bletët e ekspozuara bënin dukshëm më shumë kthesa gjatë lëvizjes në ujë, duke sugjeruar një dobësim të kontrollit motorik dhe jo humbje të orientimit vizual.
“Këto bletë arrinin përfundimisht te skaji, por jo drejt pjesës së errët dhe lëvizja e tyre ishte shumë më pak efikase”, tha Huang. “Rezultatet sugjerojnë se insekticidet mund të ndërhyjnë në koordinimin motorik të nevojshëm për këtë sjellje.”
Studimi përfshiu edhe bletët muratore (mason bees), një specie bletësh që jetojnë të vetmuara. Si meshkujt ashtu edhe femrat treguan një preferencë edhe më të fortë për zonat e errëta sesa bletët e mjaltit. Femrat arritën te skaji më shpejt dhe përshkuan distanca më të shkurtra.
Gjetjet sugjerojnë se aftësia për të lëvizur mbi ujë dhe për t’u orientuar drejt rrugëve të shpëtimit mund të jetë zhvilluar te bletët shumë kohë përpara se ato të krijonin shoqëri komplekse.
Në natyrë, bletët hasin ujë më shpesh sesa mendojnë shumica e njerëzve. Disa mbledhin ujë për të ndihmuar në rregullimin e temperaturës së kosheres, ndërsa të tjera mund të bien aksidentalisht në liqene, pellgje ose sisteme ujitjeje gjatë fluturimit.
Aftësia për t’u lëvizur drejt bregut mund t’i ndihmojë ato të mbijetojnë në situata të tilla.
“Edhe pse vetëm një pjesë e vogël e bletëve punëtore mbledhin ujë, aftësia për të shpëtuar kur bien në të mund të jetë ende e dobishme për gjithë koloninë”, tha Huang.
Sipas studiuesve, ky studim tregon gjithashtu se pesticidet mund të ndikojnë edhe në sjellje të bletëve që deri më tani nuk janë studiuar gjerësisht.
“Shumica e studimeve mbi pesticidet fokusohen te kërkimi i ushqimit ose të mësuarit”, tha Huang. “Por bletët kryejnë shumë sjellje të tjera në natyrë që rrallë maten nga shkencëtarët. Ky studim tregon se edhe një sjellje e pazakontë si notimi mund të dëmtohet nga pesticidet.”
/Motilokal.com
