Një arritje e rëndësishme për Shqipërinë dhe trashëgiminë natyrore të saj është shënuar sot me një vlerësim ndërkombëtar nga UNESCO.
Liqeni i Shkodrës është shpallur Rezervë Ndërkufitare e Biosferës dhe është përfshirë në Rrjetin Botëror të Rezervave të Biosferës. Ky status i ri përfaqëson njohjen e vlerave të jashtëzakonshme natyrore të një prej ekosistemeve më të rëndësishme në Ballkan.
Sipas Agjencisë për Media dhe Informim (MIA), ky vlerësim thekson rëndësinë globale të këtij territori dhe forcon angazhimin për mbrojtjen e biodiversitetit, zhvillimin e qëndrueshëm dhe bashkëjetesën mes njeriut dhe natyrës.
Në këtë kontekst, Liqeni i Shkodrës shihet si një pasuri natyrore me rëndësi botërore, ku ruajtja e mjedisit dhe zhvillimi i përgjegjshëm ecin paralelisht.
Edhe ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, e ka cilësuar këtë vendim si një moment të rëndësishëm për vendin, duke theksuar se ky status konfirmon vlerat e mëdha ekologjike dhe angazhimin për mbrojtjen e natyrës dhe biodiversitetit.
/Motilokal.com


