Kupa e Botës 2026, që do të organizohet në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Meksikë, rrezikon të hyjë në histori jo vetëm për përmasat e saj rekord, por edhe për ndikimin e madh në mjedis.
Sipas një raporti të publikuar nga Instituti i Motit të Ri, turneu pritet të gjenerojë të paktën 9 milionë ton ekuivalent të dioksidit të karbonit (CO₂), gati dy herë më shumë se mesatarja e Kupave të Botës të zhvilluara mes viteve 2010 dhe 2022. Në disa skenarë, emetimet mund të arrijnë deri në 15 milionë ton.
Raporti thekson se zgjerimi i kompeticionit në 48 kombëtare dhe 104 ndeshje, si dhe organizimi në 16 qytete të shpërndara në tri vende, do të sjellë një rritje të ndjeshme të udhëtimeve ajrore. Pikërisht transporti me avion pritet të jetë burimi kryesor i ndotjes, duke përbërë pjesën më të madhe të emetimeve të përgjithshme.
Sipas studimit, emetimet nga fluturimet mund të jenë 160% deri në 325% më të larta krahasuar me edicionet e mëparshme të Kupës së Botës, çka e bën transportin sfidën më të madhe klimatike të kësaj ngjarje.
Autorët e raportit paralajmërojnë se mungesa e alternativave të qëndrueshme të transportit në Amerikën e Veriut e përkeqëson situatën, ndërsa zgjerimi i vazhdueshëm i kompeticioneve sportive ndërkombëtare po shoqërohet me kosto gjithnjë e më të larta për klimën.
Nga ana tjetër, FIFA ka bërë të ditur se do të zbatojë një strategji qëndrueshmërie gjatë turneut, duke nxitur përdorimin e transportit publik, menaxhimin e mbetjeve dhe masa të tjera për të reduktuar ndikimin mjedisor.
/Motilokal.com
