Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka bërë thirrje urgjente për qytetarët që të përdorin në mënyrë sa më të kujdesshme dhe racionale ujin e pijshëm, si pasojë e rritjes së ndjeshme të konsumit në këtë periudhë.
Sipas kompanisë, rritja e përdorimit të ujit për qëllime jo esenciale po krijon ngarkesë në sistemin e furnizimit, duke rrezikuar stabilitetin dhe vazhdimësinë e shërbimit për të gjithë konsumatorët.
Për këtë arsye, KRU “Prishtina” kërkon nga qytetarët që të shmangin përdorimin e ujit të pijshëm për larjen e automjeteve, mbushjen e pishinave, ujitjen e kopshteve dhe hapësirave të mëdha të gjelbra, si dhe aktivitete të tjera që mund të shtyhen ose të kryhen me konsum më të ulët uji.
Nga kompania theksohet se përdorimi racional i ujit është thelbësor për ruajtjen e rezervave ekzistuese dhe për sigurimin e furnizimit të pandërprerë për familjet, institucionet dhe bizneset. Çdo kursim i ujit, sipas tyre, ndikon drejtpërdrejt në menaxhimin më të qëndrueshëm të këtij burimi jetik.
Po ashtu, qytetarët janë të ftuar të bashkëpunojnë duke raportuar çdo keqpërdorim apo rrjedhje të ujit në rrjetin e furnizimit.
KRU “Prishtina” apelon për ndërgjegjësim dhe përgjegjësi kolektive, duke theksuar se vetëm përmes bashkëpunimit mund të sigurohet furnizim i qëndrueshëm me ujë të pijshëm për të gjithë konsumatorët.
/Motilokal.com


