Më 12 gusht 2026, qielli do të dhurojë një nga spektaklet më të veçanta astronomike të dekadës, kur Hëna do të mbulojë deri në 90 për qind të diskut të Diellit, duke krijuar një eklips diellor që do të jetë i dukshëm edhe nga Kosova.
Ngjarja pritet të vëzhgohet në një pjesë të madhe të Evropës. Në vende si Franca, Belgjika, Zvicra dhe veriu i Italisë, mbulimi i Diellit do të arrijë nga 88 deri në 95 për qind, ndërsa në disa zona të Islandës, Grenlandës dhe Spanjës veriore do të shihet eklipsi total.
Astronomia kosovare, Pranvera Hyseni, ka bërë të ditur se fenomeni do të jetë i dukshëm edhe në Kosovë.
“Eklipsi i Diellit është një fenomen natyror kur Hëna kalon mes Diellit dhe Tokës, duke e mbuluar pjesërisht ose plotësisht Diellin”, ka shpjeguar ajo përmes një videoje të publikuar në Facebook.
Sipas Hysenit, eklipsi do të nisë të vërehet në Kosovë rreth orës 19:30, afër perëndimit të Diellit, prandaj qytetarët që dëshirojnë ta ndjekin fenomenin këshillohen të zgjedhin një vend me pamje të hapur drejt horizontit perëndimor.
“Eklipsi i plotë do të shihet vetëm në një korridor të ngushtë ku Hëna do ta mbulojë tërësisht Diellin për rreth 2 minuta e 18 sekonda. Në Kosovë do të kemi mundësinë ta shohim vetëm si eklips pjesor”, ka thënë ajo.
Ndër vendet më të favorshme për vëzhgimin e eklipsit total, Hyseni veçon Spanjën, ndërsa për qytetarët në Kosovë rekomandon vizitën në Observatori Kombëtar i Kosovës, ku fenomeni do të mund të ndiqet përmes teleskopëve solarë dhe me mjete të posaçme mbrojtëse për shikimin e sigurt të Diellit.
Eklipsi i 12 gushtit 2026 konsiderohet një nga ngjarjet astronomike më të rëndësishme dhe më të pritura në Evropë gjatë kësaj dekade.
/Motilokal.com
