Largohen mbi 2,700 ton mbeturina, Pacolli: gjoba deri në 5 mijë euro për ndotjen e mjedisit

Largohen mbi 2,700 ton mbeturina, Pacolli: gjoba deri në 5 mijë euro për ndotjen e mjedisit

Aksioni kombëtar për pastrimin dhe eliminimin e deponive ilegale në vend po vazhdon në disa komuna të Kosovës, ku deri më tani janë larguar mbi 2,700 ton mbeturina.

Punimet aktualisht po zhvillohen në Prishtinë, Mitrovicë (jug dhe veri), Pejë, Deçan, Prizren dhe Ferizaj, ndërsa në fazat e ardhshme pritet zgjerimi i tyre edhe në qytete të tjera të vendit.

Sipas Ministrisë në detyrë të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, një nga shkaqet kryesore të krijimit të deponive ilegale ka qenë mungesa e qasjes së qytetarëve në deponitë zyrtare për mbeturina sanitare dhe mbetje ndërtimore.

Në bashkëpunim me KMDK-në, janë paralajmëruar masa të reja që synojnë përmirësimin e kësaj gjendjeje, përfshirë hapjen e qasjes për qytetarët në deponitë sanitare në Mirash, Podujevë, Landovicë dhe Velekincë. Së shpejti, qytetarët pritet të informohen për datat, oraret dhe kushtet e pranimit të mbeturinave.

Po ashtu, është bërë e ditur se po investohet në rehabilitimin e deponive rajonale në Gjilan, Prizren, Pejë dhe Podujevë, me qëllim që ato të funksionojnë sipas standardeve evropiane dhe pa rrezik për mjedisin.

Nga institucionet përgjegjëse theksohet se hedhja e mbeturinave jashtë hapësirave të lejuara do të vazhdojë të ndëshkohet me ligj, me gjoba që mund të arrijnë deri në 5,000 euro.

Autoritetet apelojnë për bashkëpunim dhe vetëdije qytetare, duke theksuar se mbrojtja e mjedisit është përgjegjësi e përbashkët dhe kusht për një ambient më të pastër për gjeneratat e ardhshme.

/Motilokal.com