Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor e Kosovës mori pjesë në Konferencën e 10-të të Palëve të Interesuara për Drinin, një platformë rajonale kushtuar menaxhimit të qëndrueshëm të burimeve ujore në pellgun e këtij lumi ndërkufitar.
Në këtë konferencë, Ministria u përfaqësua nga Krenare Salihu, këshilltare dhe eksperte për mjedis dhe projekte strategjike pranë Ministres Fitore Pacolli, e cila mbajti fjalën hyrëse në emër të institucionit.
Në adresimin e saj, Salihu theksoi se menaxhimi i pellgut të Drinit mbetet prioritet strategjik për Kosovën dhe një komponent i rëndësishëm i bashkëpunimit rajonal. Ajo nënvizoi se sfidat mjedisore, përfshirë ndotjen dhe ndikimet nga ndryshimet klimatike dhe moti ekstrem, nuk mund të trajtohen në mënyrë të izoluar nga shtetet e rajonit.
Gjatë fjalimit, ajo prezantoi orientimin e Kosovës drejt kalimit nga zotimet politike në zbatim praktik, duke përfshirë përmirësimin e kornizës ligjore për menaxhimin e ujërave, ndalimin e ndërhyrjeve të pakontrolluara në shtretërit e lumenjve, hartëzimin dhe largimin e barrierave jofunksionale, si dhe vendosjen e projekteve hidroenergjetike nën shqyrtim më të rreptë institucional në përputhje me standardet mjedisore dhe teknike.
Po ashtu, u theksua nevoja për fushata të koordinuara për pastrimin e zonave përgjatë lumenjve, me qëllim reduktimin e ndotjes dhe mbrojtjen e rrjedhave ujore ndërkufitare.
Në kuadër të Procesit të Drinit, Kosova shprehu mbështetjen për krijimin e një komisioni formal të pellgut të Drinit, i cili do të shërbente si mekanizëm i strukturuar për zbatimin e marrëveshjeve dhe forcimin e bashkëpunimit praktik mes vendeve pjesëmarrëse.
Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor theksoi se mbetet e përkushtuar ndaj mbrojtjes së burimeve ujore, përafrimit me Direktivën Kornizë të Bashkimit Evropian për Ujërat dhe avancimit të agjendës së gjelbër për menaxhim të qëndrueshëm të pellgut të Drinit.
/Motilokal.com
