Ishte një kohë kur këpucët e futbollit njiheshin vetëm në një ngjyrë, të zezën.
Megjithatë, kjo nisi të ndryshonte në çerekun e fundit të shekullit të kaluar, kur prodhuesit sollën modele gjithnjë e më të larmishme, ndërsa markat e mëdha garonin për t’u dalluar nga njëra-tjetra.
Në Kupën e Botës 2026, duket se trendi është kthyer te dominimi i një ngjyre të vetme, por këtë herë jo e zeza. Rozë e ndezur është bërë ngjyra më e spikatur e turneut, shkruan BBC.
Arsyeja kryesore lidhet me faktin se tre markat më të mëdha në treg Nike, Adidas dhe Puma kanë prezantuar për këtë kampionat modele me stil dhe nuanca shumë të ngjashme.
Kjo u vu re qartë edhe në ndeshjen ndërmjet Meksikës dhe Afrikës së Jugut, ku një numër i madh futbollistësh zbritën në fushë me këpucë rozë të ndezura.
Në të kaluarën, Nike, Adidas dhe Puma preferonin kryesisht dizajne më të thjeshta, me ngjyra bardh e zi. Këtë verë, megjithatë, fokusi është zhvendosur drejt ngjyrave të forta dhe të guximshme, që tërheqin menjëherë vëmendjen.
Edhe vetë futbollistët janë sot shumë më të gatshëm të veshin këpucë me dizajne ekstravagante sesa brezat e mëparshëm.
Një tjetër arsye është edhe efekti vizual. Ngjyra rozë krijon kontrast të fortë me gjelbërimin e fushës, duke u dalluar lehtësisht si në televizion, ashtu edhe në stadium apo në ekranet e telefonave.
Këpucët rozë bien veçanërisht në sy në pamjet me lëvizje të ngadalta dhe në ndeshjet që zhvillohen nën dritat e reflektorëve, duke i bërë ato edhe më të dukshme për shikuesit.
Megjithatë, siç vëren BBC, ekziston edhe një ironi: kur kaq shumë prodhues dhe futbollistë zgjedhin të njëjtën ngjyrë, bëhet më e vështirë që një model i caktuar të dallohet nga të tjerët.
/Motilokal.com
