KRU “Prishtina” me apel urgjent: Kurseni ujin e pijshëm

KRU “Prishtina” me apel urgjent: Kurseni ujin e pijshëm

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” u ka bërë thirrje qytetarëve që të përdorin ujin e pijshëm në mënyrë sa më racionale, për shkak të rritjes së konsumit dhe nevojës për të siguruar furnizim të qëndrueshëm për të gjithë konsumatorët.

Përmes një njoftimi, KRU “Prishtina” ka kërkuar nga qytetarët që të shmangin përdorimin e ujit të pijshëm për larjen e automjeteve, ujitjen e sipërfaqeve të mëdha bujqësore dhe gjelbëruese gjatë orëve të pikut, mbushjen e pishinave, si dhe për aktivitete të tjera joesenciale.

“Përdorimi i kujdesshëm i ujit është përgjegjësi e përbashkët dhe ndihmon në ruajtjen e furnizimit të rregullt për të gjithë qytetarët”, thuhet në njoftim.

Kompania ka rikujtuar gjithashtu se të gjitha ndërtesat shumëkatëshe të ndërtuara gjatë 20 viteve të fundit duhet të kenë të instaluara pompa brenda objekteve, në mënyrë që uji të arrijë në katet më të larta.

Sipas KRU “Prishtina”, obligimi ligjor i kompanisë është të sigurojë shtypje minimale të ujit prej 1.5 bar, përkatësisht furnizim deri në rreth 15 metra lartësi, ndërsa për katet më të larta përgjegjësia bie mbi sistemet e pompimit të vetë ndërtesave.


/Motilokal.com