Alarm nga Instituti Atlas: 99% e fëmijëve në Kosovë ekspozohen ndaj ajrit të ndotur, mbi gjysma e klasave nën temperaturën e rekomanduar

Alarm nga Instituti Atlas: 99% e fëmijëve në Kosovë ekspozohen ndaj ajrit të ndotur, mbi gjysma e klasave nën temperaturën e rekomanduar

Instituti Atlas ka publikuar rezultatet përfundimtare të një hulumtimi mbi mënyrën e ngrohjes së shkollave dhe cilësinë e ajrit në ambientet mësimore në Kosovë, të realizuar me mbështetjen e Fondacionit Kosovar për Shoqëri të Hapur.

Sipas gjetjeve, 99 për qind e fëmijëve në Kosovë ekspozohen rregullisht ndaj ajrit që tejkalon kufirin e sigurt të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për grimcat PM2.5. Në disa raste, nivelet ditore kanë arritur deri në 367 mikrogramë për metër kub, ose rreth 25 herë mbi kufirin e rekomanduar.

Raporti sjell edhe një zhvillim pozitiv, duke konstatuar se përdorimi i qymyrit për ngrohjen e shkollave pothuajse është eliminuar. Megjithatë, druri mbetet burimi dominues i ngrohjes, ndërsa përdorimi i peletit dhe zgjerimi i sistemeve të ngrohjes qendrore po ecin me ritëm më të ngadaltë.

Të dhënat tregojnë gjithashtu probleme me cilësinë e ajrit brenda klasave. Gjatë sezonit të ngrohjes, nivelet e dioksidit të karbonit (CO₂) kanë tejkaluar pragun e rekomanduar prej 1,000 ppm në 23 deri në 35 për qind të ditëve mësimore në disa shkolla të Prishtinës. Sipas raportit, kjo nënkupton ventilim të pamjaftueshëm në afërsisht një nga katër ditë mësimi.

Shqetësues mbetet edhe fakti se në dhjetor të vitit 2025, më shumë se gjysma e klasave të monitoruara (52.6 për qind) kishin temperatura nën 18 gradë Celsius, që konsiderohet kufiri minimal i rekomanduar nga OBSH-ja. Në disa raste, temperatura minimale e regjistruar ka qenë vetëm 2.2 gradë Celsius.

Instituti Atlas thekson se fëmijët kalojnë deri në një të tretën e ditës së tyre në shkollë, ndaj cilësia e ajrit që thithin dhe kushtet termike në të cilat zhvillohet mësimi janë çështje që lidhen drejtpërdrejt me shëndetin, mirëqenien dhe mundësitë e tyre në jetë.


/Motilokal.com