Instituti i Shëndetit Publik ka apeluar për kujdes të shtuar gjatë temperaturave të larta, duke theksuar nevojën për monitorimin e personave në rrezik të lartë nga sëmundjet e lidhura me nxehtësinë.
Sipas ISHP-së, megjithëse çdo individ mund të preket nga efektet e temperaturave ekstreme, disa kategori janë më të ndjeshme dhe kërkojnë vëmendje të veçantë. Në grupet më të rrezikuara përfshihen personat mbi 65 vjeç, foshnjat dhe fëmijët e vegjël, si dhe personat me sëmundje kronike, veçanërisht ata që vuajnë nga sëmundje të zemrës apo hipertensioni.
Po ashtu, në këtë kategori hyjnë edhe personat që marrin medikamente të caktuara, përfshirë ilaçe për depresion dhe pagjumësi, si dhe personat mbipeshë.
Instituti rekomandon që personat e rrezikuar të vizitohen të paktën dy herë në ditë dhe të vëzhgohen me kujdes për shenja të lodhjes nga nxehtësia ose për simptoma të goditjes nga nxehtësia. Për foshnjat dhe fëmijët e vegjël, këto kontrolle duhet të jenë edhe më të shpeshta, për shkak të ndjeshmërisë më të lartë të organizmit të tyre.
/Motilokal.com
